Ministria E Financave Nis Hartimin E Buxhetit 2011
TIRANE, 24 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Ministria e Financave ka nisur punën për hartimin e buxhetit 2011. Ministri i Financave ka lëshuar një udhëzim në formë urdhri për të gjitha institucionet, mbi formën se si duhet të plotësojnë formularin me të ardhurat dhe shpenzimet.
Ndryshe nga vitet e kaluara, ministria u ka kërkuar njësive publike të jenë të kujdesshme në përgatitjen e projektbuxhetit 2011, sidomos në pjesën e shpenzimeve, ku theksohet disa herë rëndësia e paraqitjes në formë të detajuar. Tjetër risi në përgatitjen e buxhetit është paraqitja e shpenzimeve për paga, personel etj, si dhe parashikimi i të ardhurave, duke vendosur çdo burim të mundshëm.
"Ritheksojmë se raportet që duhen të dorëzohen deri më datë 31 gusht 2010 nga institucionet qendrore dhe fondet speciale të tyre, duhet të jenë të pasqyruara sipas udhëzimit të ri, duke përjashtuar shtesat", citon ministri.
Ministria e Financave, prej tre vitesh aplikon standarde të reja në hartimin e buxhetit, duke nisur me fazën e parë, që është caktimi i tavaneve për çdo institucion në tri vitet e ardhshme. Pas kësaj, hartohet projektbuxheti, duke iu referuar tavaneve të përgatitura më parë, pa tejkaluar planin. Megjithatë, ka raste kur institucionet përfitojnë më shumë fonde nga sa është parashikuar në planin buxhetor afatmesëm, dhe kjo ndodh kur kërkesa e tyre është bindëse dhe paraqitet me analizë të detajuar të projektit.
Më herët se afati i fundit, 31 gusht, institucionet duhet të kenë dorëzuar në Ministri të Financave planin paraprak të buxhetit për tre vitet e ardhshme (2011-2013), e më pas plotësohet formulari për buxhetin e vitit 2011. Pas datës 31 gusht, në javën e parë të muajit shtator, Ministria e Financave, së bashku me një grup pune nga Kryeministria dhe Ministria e Integrimit, nisin konsultat me të gjitha institucionet, për të unifikuar shpenzimet dhe të ardhurat, e në rast pakënaqësish të ndryshme, rishikohen pikat ku ka rezerva.
Në njërën nga pikat e udhëzimit, vihet në dukje se në rast se nuk respektohen afatet dhe kriteret, për sekretarët e përgjithshëm të ministrive dhe personat e autorizuar për hartimin e buxhetit, vendosen gjoba që shkojnë deri në 50 mijë lekë. /a.ke/