Mpj Turke: Mendimi I Gjnd-Së, Dritare E Re Për Vendosjen E Stabilitetit Në Ballkan
- Thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë -
TIRANË, 24 Korrik/ATSH/.- Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë e konsideron vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me deklaratën për pavarësinë e Kosovës, "një dritare të re për të mundësuar vendosjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkan, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal, duke qenë patjetër në të mirë të rajonit".
Në një deklaratë për shtyp të MPJ-së Turke, të shpërndarë për mediat nga ambasada e Turqisë në Tiranë, thuhet se "Turqia është një ndër vendet e para që e njohu Kosovën".
"Ruajtja e tërësisë territoriale të Kosovës dhe e strukturës politike dhe sociale, e ndërtuar mbi vlerat demokratike, ka një rëndësi të madhe për Ballkanin. Integrimi me strukturat europiane dhe euro-atlantike, i cili është përcaktuar si objektivi themelor i rajonit, në këtë kuadër përbën një terren të shëndoshë", thuhet në deklaratë.
"Ne, vijon deklarata, vërejmë me kënaqësi se perspektiva e integrimit europian po mbështetet nga të gjitha vendet e rajonit. Ky vizion, i cili do të formësojë të ardhmen e përbashkët të rajonit, paraqet një mundësi të nevojshme për zgjidhjen e problemeve ekzistuese në kuadrin e kulturës së pajtimit dhe shndërrimin e Ballkanit në një rajon paqeje, stabiliteti dhe begatie. Ne presim që ky mendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë t'u japë një shtytje përpjekjeve për zhvillimin e dialogut pozitiv dhe konstruktiv midis Kosovës e Serbisë. Turqia është e gatshme t'u japë çdo lloj mbështetjeje përpjekjeve në këtë drejtim", përfundon deklarata për shtyp e MPJ Turke.
Më 22 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli mendimin e saj këshillëdhënës duke vendosur se deklarata për pavarësinë e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare./a.s//a.ke/