Tiranë, 24 korrik 2010 NOA - Pas opinionit të GJND, ministri i Jashtëm Ilir Meta ka vazhduar kontaktet me homologët e tij për të ndikuar në shtimin e numrit të shteteve që do të njohin Kosovën.
Për këtë qëllim, përveç kontakteve bilaterale, ministri Meta u ka dërguar mesazhe vendeve kryesore për të ndikuar tek shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë, si dhe vendeve që nuk e kanë njohur Kosovës, ku u kërkohet mbështetje dhe njohja e pavarësisë së Kosovës.
Angazhimi i kreut të diplomacisë shqiptare behet i ditur nga burime brenda ministrisë së Jashtme qe konfirmuan per agjencine NOA tekstin e mesazhit. Ky është mesazhi i dytë pas atij nisur ditë më parë në pritje të shpalljes së mendimit nga ana e GJND-së.
Zv.Kryeministri Meta, përveç takimeve me ambasadorët e vendeve partnere në Tiranë, konsultimeve me disa nga ambasadorët tanë në vendet kryesore të BE-së, vendet e rajonit, OKB etj, u dërgoi mesazh Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve që e kanë njohur Kosovën, ku i falënderoi për mbështetjen që i japin shtetit të ri të Kosovës dhe u kërkoi njëherësh që të ndikojnë tek vendet e tjera për të përshpejtuar procesin e njohjes së pavarësisë, bëjnë të ditur burime nga ministria e Jashtme për agjencinë e lajmeve NOA.
Gjithashtu, ai u shprehu angazhimin për të koordinuar hapat për veprimet e mëtejshme pas shpalljes së mendimit këshillimor nga ana e GJND. Kontakte për koordinimin e hapave, Ministri Meta, ka patur dhe me autoritetet më të larta të Kosovës.
Lëvizjet e fundit diplomatike shumëplanëshe kanë rinisur së fundmi nga ministri i Jashtëm janë duke u zhvilluar dhe pas një realiteti të ri në arenën ndërkombëtare pas vendimit të GJND.
Gjatë këtyre muajve në detyrë Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në mënyrë të vazhdueshme ka mbështetur ekipin ligjor të Shqipërisë, i cili pati në përbërjen e tij juristë të njohur ndërkombëtare dhe vendorë në përgatitjen dhe paraqitjen para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të qëndrimit dhe argumenteve të Shqipërisë në mbështetje të shtetit të ri të Kosovës.
Po ashtu, Ministri Meta ka qenë i angazhuar dhe ka mbajtur kontakte me autoritetet zyrtare të Kosovës, faktorët e angazhuar në mbështetje të Kosovës, në mënyrë që qëndrimi i Shqipërisë dhe argumentet e saj të ishin sa më të plota dhe gjithëpërfshirëse dhe të unifikuara, me qëllim që argumentimi në mbështetje të pavarësisë së Kosovës të ishte sa më bindës.
r.n/NOA