Shkodër, 24 Korrik, NOA Update – Vrasja e përgjakshme në familjen Pjolli nga Dajçi i Shkodrës, ku nëna dhe vajza mbetën të vrara nga plumbat e burrit të shtëpisë, duket se kanë patur si shkak gjendjen depresive të këtij të fundit.
Ky fakt konfirmohet nga burimet policore të Shkodrës për agjencinë e Lajmeve NOA, duke pohuar se autori i vrasjes së dy personave, kryefamiljari Pjetër Pjolli, ka qenë në gjendje të rënduar depresioni dhe pasi e ka kryer atë, e ka njoftuar vetë policinë për të deklaruar krimin fatal.
Mësohet ndër të tjera se ngjarja e rëndë ka ndodhur brenda në banesën e familjes Pjolli, pas një konflikti për motive të dobëta, e cila duket se ka acaruar më së tepërmi, deri në ekstremitet gjendjen e rënduar depresiive dhe nervore të autorit të saj.
E duket se Pjetër Pjolli nuk ka duruar dot duke qëlluar me armë gruan dhe vajzën e tij pas sherrit të përbashkët, duke u penduar paskëtaj menjëherë, por ishte tepër vonë.
Sipas informacioneve të policisë, dy viktimat janë Nine dhe Kristina, përkatësisht bashkëshortja dhe vajza e autorit, 46 dhe 18 vjeç secila.
Ngjarja ka ndodhur saktësisht në orën 05.35 duke u gdhirë dita e sotme, në fshatin Samrish i Ri, të komunës Dajç në Shkodër.
Ndërsa autori mësohet se është 46-vjeçari Pjetër Pjolli, banues në po këtë fshat, i cili i ka qëlluar me pistoletë, si gruan ashtu edhe vajzën e tij.
Nga ana e policisë, u bë menjëherë arrestimi në flagrancë i tij, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, arma e krimit tip pistoletë.
Po kryen të gjitha veprimet e duhura proceduriale e hetimore, ndërsa materialet në ngarkim të Pjetër Pjollit do t’i kalojnë për veprime të mëtejshme prokurorisë së Shkodrës për veprat penale të “Vrasjes me dashje” dhe “Armëmbajtjes pa leje”.
n.e/NOA