Prokuroria Çon Në Gjyq 5 Persona Të Akuzuar Për Shpërndarje Narkotikësh
TIRANË, 24 Korrik/ATSH/ . - Prokuroria e Tiranës dorëzoi në Gjykatë për shqyrtim gjyqësor çështjen penale kundër një grupi prej 5 vetash, të dyshuar për shitje të lëndëve narkotike.
Burime zyrtare nga prokuroria e Tiranës bënë të ditur sot se i kanë përciellë Gjykatës së Tiranës çështjen penale në ngarkim të shtetasve: Artur Selmani, Edmond Kalia, Ervis Gjuzi, Ilir Gashi, Skerdilajd Miri, të akuzuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në bashkëpunim.
Shtetasit e lartpërmendur u arrestuan në muajin mars të këtij viti në Tiranë në një operacion të Policisë së Qarkut, në kuadër të luftës kundër trafikimit të narkotikeve. Ata u kapën me një sasi prej 1. 5 kilogram lëndë narkotike e llojit mariuanë, e cila mendohet se ishte siguruar në rrethinat e Krujës dhe do të shitej në Tiranë.
Të arrestuarit mësohet se kishin disa javë që mbaheshin nën vëzhgim nga strukturat e policisë për shkak të dyshimeve të ngritura ndaj tyre për përfshirje në këtë aktivitet të paligjshëm. Tashmë, ndaj tyre pritet të nisë procesi gjyqësor. /a.m//a.ke/