English

PS, Balla: Kryetarja e Kuvendit të publikojë rendin e ditës për seancën e të hënës

Tiranë, 24 korrik, NOA –Sekretari i Grupit Parlamentar të PS-së, deputeti Taulant Balla i kërkoi kryetares së Kuvendit të Shqipërisë çështjet që do të përbëjnë rendin e ditës në seancën e ardhshme të parlamentit, që është të hënën.

Deputeti Balla iu referua rregullores së kuvendit, dhe nenit 30, paragrafi 2, të saj ku përcaktohet se “ drejtuesi i seancës plenare ose kryetari i komisionit para se të mbyllë përkatësisht seancën ose mbledhjen, njofton orën e fillimit të seancës plenare ose të mbledhjes së ardhshme.”

Sipas deputetit Balla kjo nuk ndodhi në seancën e fundit të ditës së enjte, sepse Kryetarja e Kuvendit nuk njoftoi orën e fillimit të seancës së ardhshme të kuvendit.

“Kjo është një thyerje e ashpër e rregullores së kuvendit. Unë i bëj thirrje Kryetares së Kuvendit të çlirojë drejtoritë nga presioni, përkundrejt mosdhënies për deputetët dhe për Grupin Parlamentar të PS-së rendin e ditës, por ta bëjë publik këtë rend dite, jo vetëm për deputetët, por ta bëjë publik rendin e ditës së hënë, edhe për mediat, edhe për publikun e gjerë shqiptar”, bëri thirrje deputeti Taulant Balla.

Në këtë kontekst ai lexoi për mediat edhe nenin 27 të rregullores, që flet për kalendarin e punimeve të kuvendit, ku në paragrafin 5 të tij, thuhet shprehimisht se “Kalendari i punimeve të kuvendit përmban në mënyrë të detajuar kohën kur kuvendi zhvillon punimet në seancë plenare dhe komisione. Kalendari publikohet dhe i shpërndahet deputetëve, si edhe i vihet në dispozicion përfaqësuesve të medias. Në çdo rast rendi i ditës duhet të jetë bërë publik të paktën dy ditë përpara datës së caktuar për mbledhjen e komisionit ose seancës plenare”.

Deputeti Taulant Balla nënvizoi se “Në këtë moment që flasim jemi më pak se 48 orë nga orari që pritet të fillojë seanca plenare. Ne nuk kemi një njoftim zyrtar apo publik për orarin e fillimit të seancës plenare, sikurse nuk ka një njoftim publik për rendin e ditës të seancës plenare të ditës së hënë”.

mit/NOA
KOMENTE