Tiranë, 24 korrik, NOA – Akuzat e selisë rozë ndaj pasurisë së Dritan Priftit nuk ndalen, duke përforcuar edhe më fort idenë se është pikërisht kryeministri Sali Berisha, i cili edhe pse e ka shpallur luftën ndaj korrupsionit si lajtmotiv të qeverisjes së tij, hesht pikërisht për rastin e pasurimit marramendës të ministrit të Ekonomisë.
Deputeti i PS-së, Ervin Koçi duke iu referuar miliarda lekëve të pasurisë së ministrit Prifti të fituara përmes korrupsionit, deklaroi se “Edhe pse, kanë kaluar më shumë se dy javë që shqiptarët presin të dëgjojnë çka për të thënë kryeministri për korrupsionin në oborrin e tij qeverisës, Sali Berisha ende nuk ka gjetur guximin të na thotë një fjalë të vetme në lidhje me këtë aferë dhe ministër të korruptuar”.
Selia rozë ndërkaq ka ritheksuar aferat korruptive të ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, kur ky i fundit emëroi kushëririn e një tjetër ministri të qeverisë Berisha-Meta, në këshillin mbikëqyrës të OST, për të më pas miliona euro tendera për barna mjekësore.
Sipas PS-së, 1.8 mln eurot e Dritan Priftit janë veç maja e ajsbergut e korrupsionit të pushtetit të Berishës, ndërkohë që ministri Prifti sipas PS-së, futi 1.8 mln euro në xhep, ose plot 9 herë më shumë se 200 mijë eurot, që deklaroi djali i Sali Berishës në të njëjtin vit.
Madje selia rozë pas dyshes së ministrave të korruptuar Vasili e Prifti nënvizon si një tjetër bashkëpunim korruptim edhe atë mes ministrit Prifti dhe atij të Mbrojtjes, Arben Imami, lidhur me tjetërsimin e aseteve të ministrisë së Mbrojtjes, për llogari të oborrit të ngushtë të qeverisë.
Koçi theksoi se “Përveç dyshes Prifti - Vasili, ditët e fundit na ka dalë në pah edhe dyshja Prifti - Imami. Sigurisht, aty ku ka korrupsion dhe mundësi për tu pasuruar shpejt, Dritan Prifti nuk mungon. Së fundmi, Ministri i Mbrojtjes nuk ka lenë aset të ushtrisë pa e nxjerre në shitje”.
PS, në këtë kontekst artikuloi se heshtja e Berishës për këto fakte korruptive në kulm të krizës ekonomike, do të thotë bashkëfajësi.
Ndaj selia rozë rishtas i ka kërkuar organeve të drejtësisë të hetojnë mbi pasurinë e ministrit Prifti, një hetim që duhet të mbështetet edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, indiferenca e të cilës në këtë çështje e bën po aq fajtore sa edhe pasurimi korruptim i ministrit Dritan Prifti.
mit/NOA