English

Rama: Taksat e qytetarëve investimi i Tiranës

Tiranë, 24 korrik, NOA - Kryebashkiaku Edi Rama zhvilloi një takim me stafin e punonjësve të Ndërmarrjes “Punëtorët e Qytetit Nr.2”, për të diskutuar lidhur me problematikat dhe impenjimin e kësaj strukture, në shërbimet që ofrojnë për qytetin e Tiranës.

Gjatë fjalës së tij, Kreu i Bashkisë së Tiranës, vlerësoi punën e kësaj strukture, por vuri theksin në rritjen e cilësisë së shërbimit që duhet t’u ofrohet qytetarëve.

“Është shumë e rëndësishme që sot ne të jemi më të vetëdijshëm se kurrë, se roli ynë nëpërmjet kësaj Ndërmarrjeje të Mirëmbajtjes së rrugëve, trotuareve, ndriçuesve e që çdo vit është jashtëzakonisht jetik për qetësinë e jetës së qytetarëve. Puna e bërë në këtë drejtim është sot një volum kolosal dhe është në sytë e të gjithëve, në një qytet që jo shumë vite më parë ishte i mbushur me gropa kudo ku kaloje; jo shumë vite më parë kishte mungesë të ndriçimit publik thuajse kudo ku kaloje, jo shumë vite më parë s’kishte trotuarë thuajse kudo ku kaloje, ndërkohë që sot të gjitha këto janë plotësuar, por mbeten për t’u mirëmbajtur”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Në këtë kontekst shefi i Bashkisë së kryeqytetit pasi përgëzoi punonjësit e ndërmarrjes tha se “falë punës suaj, ne sot kemi një qytet shumë më të mirëmbajtur në të gjithë infrastrukturën e vet dhe investimet e bëra me taksat e qytetarëve janë shumë më të garantuara sepse mirëmbahen, por njëkohësisht dua t’ju kërkoj që kjo punë të bëhet edhe më intensive dhe që cilësia e punës në njësinë e kohës të rritet akoma më shumë”.

”Janë taksat e qytetarëve, investimi i këtij qyteti, për të pasur në këmbim shërbimin më të mirë nga punëtorët e këtij qyteti dhe për këtë arsye kërkesat dhe ankesat e qytetarëve duhet të jenë në qendër të vëmendjes dhe për çdo kërkesë dhe çdo ankesë, ashtu siç është bërë deri më sot, do të vazhdojë të bëhet maksimumi, që rruga të riparohet, trotuari të riparohet, ndriçimi të riparohet dhe që gjërat të shkojnë gjithnjë e më mirë, në funksion të të gjithë këtyre shërbimeve që ne ua detyrojmë qytetarëve”, u bëri thirrje punonjësve të mirëmbajtjes së kryeqytetit kryetari i bashkisë.

Në këtë kontekst Rama i ka falenderuar punonjësit me fjalët “Është impresionuese se si falë kontributit të secilit prej jush, ne kemi arritur të transformojmë me dhjetëra mijëra metra katrorë rrugë të shkatërruara brenda blloqeve të banimit, një arsye më shumë që ne të kërkojmë edhe më shumë nga vetja dhe që qytetarët të kërkojnë edhe më shumë nga n, ndaj secili prej nesh duhet të bëjë maksimumin”.

mit/NOA

KOMENTE