English

Raporti I Bsh: Rritet Numri I Agjencive Bankare

TIRANE, 24 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/.- Numri i degëve dhe agjencive bankare në vend ka pësuar rritje edhe gjatë vitit 2009, ndonëse ishte një vit i vështirë financiar për shkak të krizës ndërkombëtare ekonomike. Sipas raportit te publikuar sot nga Banka e Shqipërisë, në vitin 2009 u miratuan dhe filluan veprimtarinë 17 degë dhe agjenci të reja bankare, ndërkohë që bankat gjatë këtij viti kanë njoftuar për mbyllje të aktivitetit të 4 degëve. Në fund të vitit, numri i përgjithshëm i degëve dhe agjencive (brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë) arriti në 530, nga 517 që ishin në fundvitin 2008. "Me gjithë zgjerimin e rrjetit të degëve dhe agjencive të bankave, në vitin 2009 vihet re një zvogëlim i numrit të punonjësve të bankave, si dhe i treguesve mesatarë që lidhet me numrin e tyre", thekson raporti i BSH-së. Nisur nga numri i popullsisë, në raport me numrin e degëve bankare dhe agjencive, rezulton se për 199688 banorë është në funksion një bankë, nga 207400 që ishte në vitin 2003. Në bazë të nenit 24 të ligjit të ri "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", Banka e Shqipërisë jep miratimin paraprak, ndër të tjera edhe për ndryshimet në statutin e bankave. Në zbatim të kësaj kërkese ligjore, 6 banka kanë paraqitur kërkesë për miratim ndryshimesh në statutet e tyre. Këto ndryshime krahas të tjerave lidhen dhe me zbatimin e kërkesave të reja që sollën ligji nr. 9662, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe ligji i ri "Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare". Në vitin 2009 u paraqitën nga bankat 66 kërkesa për miratimin e administratorëve të emëruar prej tyre si kërkesë e ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe për këto kërkesa është dhënë miratimi paraprak i Bankës së Shqipërisë. Kërkesat e paraqitura për miratim paraprak të administratorëve lidheshin për efekt të lëvizjeve të ndryshme në varësi të strukturave organizative të bankave, lëvizje paralele apo emërime të reja, si dhe për pozicione të reja si efekt i krijimit të strukturave të reja në banka, emërime etj. Në rastet e miratuara të administratorëve të bankave, 10 prej tyre janë për anëtarë të këshillit drejtues të bankës, 10 raste janë për anëtarë të komitetit të kontrollit, 4 raste janë për drejtor të përgjithshëm etj. /a.ke/
KOMENTE