Tiranë, 24 Korrik, NOA – Vetëm dy ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e quajti të ligjshme dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar deklaratën e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008, një lajm i mirë ky për të gjithë shqiptarët, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, do të vizitojë Shqipërinë.
Lajmi bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime presidenciale, sipas të cilave, kreu i shtetit të Kosovës parashikohet që gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, të zhvillojë takime me homologun e tij Bamir Topi, si edhe kryeministrin Sali Berisha.
Këto takime konsiderohen si të një rëndësie të veçantë, pasi ndryshe nga herët e tjera, zhvillohen nën një atmosferë festive për gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, vetëm dy ditë pasi GJND i ka dhënë të drejtë kauzës kosovare.
E për këtë arsye, pritet që takimet të shoqërohen me deklarata të rëndësishme që do të komunikohen edhe në konferencat përkatëse për shtyp, rreth së ardhmes së raporteve mes vendeve tona dhe në tërësi, ato të të gjithë rajonit të Ballkanit.
n.e/NOA