English

Serbia nis “ekspansion” diplomatik, cakton 55 emisarë kundër Kosovës

Beograd, 24 Korrik, NOA – Pas shpalljes së mendimit këshillë-dhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, Serbia jo vetëm që nuk ka ndërmend të ndalet në përpjekjet e saj kundër saj, por ka nisur menjëherë reagimet.

Kështu, ka qenë vetë presidenti serb, Boris Tadiç, i cili ka deklaruar se Serbia ka plan të qartë të aktivitetit diplomatik, ku të dërguarit specialë do t’ua shpërndajnë letrën e presidentit serb përfaqësuesve të 55 shteteve në mbarë botën.

Ata do të udhëtojnë drejt tyre, duke i sqaruar titullarët se përse nuk duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës, përmes letrës së Tadiçit.

Presidenti i Serbisë, tha se shumë vende do të jenë nën presion të njohin pavarësinë e Kosovës para se ajo të shqyrtohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Duke shtuar se kjo ka pak gjasa të ndodhë pasi Serbia do të bëjë të gjitha përpjekjet që të ketë sa më pak njohje.

Qeveria e Serbisë ka bërë me dije se beteja e saj e ardhshme për Kosovën do të jetë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

n.e/NOA

KOMENTE