English

Shkëmbimi i zjarrit mes grupeve në Rrëshen, kapet autori i vrasjes së 26-vjeçarit

Lezhë, 24 Korrik, NOA - Rreth orëve të para të mëngjesit të sotëm, strukturat e policisë kanë mundur të kapin 24-vjeçarin Sokol Shytani, i dyshuar si autor i vrasjes së djeshme në qytetin e Rrëshenit të 26-vjeçarit Luan Gjoka.

Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Lezhës, sipas të cilave, Shytani rreth orëve të darkës së djeshme në qytetin e Rrëshenit, në afërsi të spitalit të këtij qyteti, ka qëlluar me armë zjarri viktimën banues në Mirditë, i cili pas ndihmës së parë mjekësore të marrë në këtë spital është nisur për në spitalin e Lezhës në gjendje të rëndë, ku dhe ka gjetur vdekjen.

Nga ana e policisë, po kryhen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, ndërsa materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Lezhës për hetime të mëtejshme, si dhe për zbardhjen e plotë të mekanizmit të ngjarjes.

Kjo e fundit ka qenë e organizuar si një përleshje e armatosur mes dy grupe të rinjsh në qytetin e Rrëshenit, duke sjellë sërish klimë pasigurie në këtë zonë, disa orë pasi herët në mëngjesin e ditës së djeshme, u ekzekutua me armë një i ri në mes të Lezhës.

Nga sherri i djeshëm në Rrëshen, mësohet se ka mbetur i vdekur 26-vjeçari Luan Gjoka, lindur e banues në këtë qytet dhe se përplasja e dy grupeve të të rinjve, kishte nisur që në sheshin përpara ish-Shtëpisë së Oficerëve, duke vijuar para Komisarit të Policisë, ku edhe ka ndodhur ngjarja e rëndë.

Dyshohet se palët në konflikt pretendonin se ishin të dashuruar me të njëjtën vajzë.

n.e/NOA

KOMENTE