Shkoder: Mbremje Kulturore Ne Perkujtim Te Figures Se Ramadan Sokolit
T
SHKODËR, 24 Korrik/ATSH-G. Marku/- Ramadan Sokoli, një nga figurat e shquara të shkencës dhe kulturës albanologjike, është përkujtuar mbreme në qytetin e Shkodrës përmes një aktiviteti të organizuar nga Shoqata Kulturore-Artistike "Prenkë Jakova". Ne aktivitetin e mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me Grand Hotel Europa, miqtë, njohësit e vepres se tij, si dhe artistë shkodranë dhe ata të ardhur nga Tirana, folën rreth vlerave të kësaj figure shumëplanëshe.
Studiuesi Kahreman Ulqini, muzikologu Ritvan Karakaçi, shkrimtari Fadil Kraja, kompozitori Gjon Shllaku etj, folen per figurën dhe vepren e Prof. Ramadan Sokolit, këtij muzikologu, kompozitori, albanalogu, folkloristi, historiani dhe esteti të historisë së artit dhe të kulturës shqiptare.
"Profesor Ramadan Sokoli është njëra nga figurat më të ndritura të shkencës dhe të kulturës albanologjike", ishte shprehja që përsëritej me teper nga diskutantët për këtë figure kaq të njohur që, edhe pse i ndarë nga jeta dy vite më parë, ka lënë gjurmë dhe vlera të mëdha për brezat e ardhshëm.
Edhe pse kishte studiuar për kompozicion, veprimtaria e tij u zgjerua edhe në fushën hulumtuese e shkencore, ku etnomuzikologjia e muzikologjia do t'i bëheshin vokacione primare. Ai është autor i botimeve "Folklori muzikor shqiptar (Morfologjia), "Veglat muzikore të popullit shqiptar", "Vallet dhe muzika e të parëve tanë", "Figura të ndritura", "Gjurmime folklorike", "Këngët patriotike" etj".
Për kontributin dhe vlerat e tij, Prof. Ramadan Sokoli ka marrë titullin "Profesor" nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në vitin 1995, në vitin 2002 është nderuar nga Presidenti i Republikes me titullin e lartë "Mjeshtër i Madh i Punës" dhe në vitin 2006 është shpallur "Qytetar Nderi" nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës.
Mbrëmja perkujtimore kushtuar figurës së shquar të Ramadan Sokolit, është gërshëtuar edhe me një program të larmishëm artistik me pjesëmarrjen e solistëve dhe të kuntitetit të Akademisë së Arteve Tiranë, në bashkëpunim me artistët shkodranë. /a.ke/