English

Sizmiologu Rrapo Ormeni: "Shqipëria Vend I Rrezikuar Vazhdimisht Nga Tërmetet"

TIRANË, 24 Korrik /ATSH- Gjergji Mima/ - Specialisti i Institutit të Gjeoshkencave, Rrapo Ormeni, në një intervistë për ATSH-në shpjegon situatën sizmologjike në vendin tonë, hapat që ndiqen për të mbajtur nën kontroll situatën sizmike dhe parametrat që duhet të kenë ndërtimet e larta në kryeqytet, në mënyrë që të përballojnë çdo situatë të rrezikshme në të ardhmen. "Shqipëria bën pjesë në Ballkan dhe dihet që Ballkani është një zonë me aktivitet sizmik. Ne zonen mesdhetare ndodhin rreth 15 % e tërmeteve në botë, ndërsa pjesa tjetër, rreth 80 % e tërmeteve, ndodhin në unazën e Paqësorit. Pikërisht kjo është arsyeja që vendi ynë shpesh herë goditet nga tërmetet. Shkaku i tyre është përplasja e mikropllakave të Adriatikut, të cilat janë pjesë e dy pllakave të mëdha kontinentale, që janë pllaka Afrikane dhe pllaka Euroazitike. Si pasojë e lëvizjes, ato goditen në buzët e tyre dhe tensionojnë, sforcojnë, pjesët e brendshme dhe për pasojë në ato pjesë ku nuk mbahet ky sforcim, atëherë toka në ato pjesë këputet dhe ndodh ai që e quajmë tërmet", shpjegon ai. Ormeni tregon se cilat janë zonat sizmike të vendit tonë ku dhe rreziku është më i madh. "Shqipëria si një vend me aktivitet sizmik ka disa zona të dallueshme për sizmiocitetin e tyre. Zonat kryesore të vendit tonë janë 2 zona gjatësore që dallohen për një aktivitet sizmik. Është zona Adriatike dhe Jonike, pra zona që bën pjesë në buzën e detit Adriatik dhe detit Jon, gjithashtu është edhe zona Korçë- Ohër, e cila vazhdon deri në Peshkopi. Teksa kemi edhe 3 zona tërthore. Është zona Vlorë - Lushnje - Elbasan - Dibër, zona Shkodër-Pejë dhe zona Vlorë - Tepelenë", thotë ai. Në vitet e fundit Shqipëria ka pasur një sërë termetesh të vogla dhe specialisti Ormeni sqaron këtë situatë. "Sizmiociteti i sotëm shihet me interes, pasi këto vitet e fundit, sidomos të këtij shekulli, vendi ynë është karakterizuar nga një aktivitet sizmik, nga mikrotërmete dhe nga tërmete të vegjël, të cilët kapin vlerën 1-3 ballë të shkallës Rihter, 3 - 4.5 ballë dhe 4.5 - 5.5 ballë. Zona më kryesore sizmike e viteve të fundit të vendit tonë është zona Elbasan - Dibër, e cila është në një zonë thyerjesh tërthore, Vlorë - Lushnje - Elbasan - Dibër. Por, në këtë dhjetëvjeçarin e fundit ajo është shfaqur aktive pikërisht në këtë segment, ku kanë rënë disa tërmete të cilët kanë pasur manjituda të larta, aq sa kanë shkaktuar edhe dëme. Edhe për efekt statistikor, studimi i kësaj zone ka pasur mbi 300 tërmete dhe kulmi i saj ka arritur me tërmetin e 6 shtatorit të vitit 2009, që është tërmeti i Gjuricës, i cili ishte kishte manjitud 5.4 ballë dhe shkaktoi dëme në zonat rrethuese. Por, kjo zonë ka pasur tërmete edhe përreth Elbasanit me manjituda 4.5 ballë. Zonë tjetër ku vitin e kaluar ka pasur aktivitet sizmik ka qenë zona Lezhë - Ulqin, ku ka rënë një tërmet me manjitud 5 shkalla Rihter. Para edhe zona Lezhë - Ulqin është një zonë me aktivitet sizmik, pasi historikisht në këtë zonë kanë rënë tërmete të mëdhenj, por edhe në këtë periudhë kemi tëmete të këtij niveli deri në manjitudën 5 ballë. Zonë tjetër është edhe zona Borsh- Kardhiq, ku ka pasur tëmete me manjituda 4.5 ballë. Ky nivel tërmeti ndihet fort dhe mund të shkaktojë dëme kryesisht në shtëpi të vjetra. Tërmet tjetër në vitin 2008 kemi pasur edhe në Korçë, pasi zona Korçë - Ohër është një zonë aktive, e cila tërmetin më të madh të saj e ka pasur në vitin 1960 ku ka pasur një tërmet me manjitudë 6 ballë. Ormeni shpjegon se, "Epiqendrat e këtyre tërmeteve ndodhen në zonat që janë thyerrje sizmioaktive, siç është thyerrja Elbasan - Dibër, që është një thyerrje sizmoaktive me drejtim veri - lindje, jug- perëndim dhe që ka një regjim tektonik në zgjerim. Karakterisitkat, tipologjia e sizmocitetit, numri i tërmeteve dhe thellësia e vogël e tyre, tregojnë për një nivel të aktivitetit të lartë sizmik të sotëm në këtë zonë". Ormeni thote se është Instituti i Gjeoshkencave ai që monitoron situatën sizmike në vend dhe jep lejen për ndërtimet e larta, pasi studion situatën e truallit. "Me studimet sizmike në Shqipëri merret Instituti i Gjeoshkencave, ku aty ka sektorë të veçantë në departamentin e sizmiologjisë, i cili bën studimin dhe monitorimin e zonave ku bëhen ndërtime të larta, kryesisht ndërtime mbi 8-katëshe. Në këto ndërtime shkojnë specialistë të cilët bëjnë matjen e nxitimit të truallit dhe japin parametrat që i nevojiten ndërtuesit për të marrë masa antisizmike. Në këtë mënyrë i japim të dhëna ndërtuesit që një godinë me një lartësi të caktuar, mbi një truall të caktuar të plotësojë të gjithë parametrat sizmikë për të mos u rrezikuar në të ardhmen", thotë Ormeni. Ai shton se, "Detyra e Institutit tonë është që të japë parametrat, që ndërtimet të bëhen antisizmike, pra të jenë në gjendje që t'i bëjnë ballë një efekti ose një risku të ardhshëm sizmik. Më pas zbatimi ose jo i këtyre parametrave nuk është në kompetencat tona. Gjithsesi, çdo ndërtim në Tiranë duhet më parë të marrë lejen nga ky institut. Ormeni sqaron edhe situatën sizmike në kryeqytet dhe tregon se ka parametra të veçantë që zbatohen në ndërtimet e larta në Tiranë. "Tirana është goditur nga tërmete të cilët kanë arritur një nivel manjitude deri në 6 ballë të shkallës Rihter dhe kryesisht rreziku sizmik ka ardhur nga thyerrjet tektonike që janë rreth Tiranës dhe duke pasur parasysh këto burime sizmike që ka Tirana me thyerrjet e Prezës. Pasi njihet energja maksimale që çlirohet, studiohet dhe nxirret skenari i rrezikut sizmik për qytetin e Tiranës. Në bazë të kësaj, duke studiuar edhe sheshet apo truallin e ndërtimit, fortësinë e tij, bëhet e mundur të nxirren parametrat për ndërtimet antisizmike", përfundon specialisti i Institutit të Gjeoshkencave, Rrapo Ormeni. /a.ke/
KOMENTE