English

Sport-Boks/ Nuri Seferi: "Do Të Sfidoj Kampionin E Botës Në Wbo"

TIRANË, 24 Korrik/ ATSH - Gjergji Mima/ - Kampioni Evropës në versionin WBO, boksieri shqiptar nga Korita e Gostivarit, Nuri Seferi, pas fitores kundër gjeorgjianit Sandro Siproshvili, të cilin e mundi me vendim unanim të gjyqtarëve pas 12 raundeve, këto ditë po qëndron me pushime në Shqipëri. Në një intervistë për ATSH-në, Seferi ka sqaruar se shtatori dhe tetori do të jenë muajt ku sërish do të jetë në ring. Ai dëshiron të sfidojë Marko Huck, kampionin e botës në peshën Cruiserweight, por ka edhe kundërshtar të tjerë me të cilët Seferi shpreson që të ndeshet dhe t'i mundë. I pyetur për duelin e fundit, i cili ka qenë një ndër sfidat më të vështira të Nuriut, ai sqaroi se kjo sfidë u bë e komplikuar për shkak të mos përgatitjes ideale para këtij takimi. "Organizimi para fillimit të kësaj sfide ishte shumë i dobët që krijoi nervozizëm tek unë. Si pasojë e këtij nervozizmi në 4-5 raundet e para nuk isha i përqëndruar sa duhet, mirëpo pas raundit të pestë të gjithë situatën e mora në duart e mia dhe në fund çdo gjë përfundoi ashtu siç parashikoja", theksoi boksieri Nuri Seferi. Nuriu sqaroi se gjatë ndeshjes me Siproshvilin ka patur një numër shumë të madh adhuruesish shqiptare, të cilët për çdo çast i kanë dhënë kurajo. "Publikisht dua të falënderoj fansat e mi, përkrahja e të cilëve nuk mungoi në asnjë moment". Dhe pas atij suksesi, Nuriu tani ka disa ditë pushim, por që do t'i shfrytëzojë për të vizituar qytetet shqiptare dhe njerëzit e tij të dashur. Si kampion i kontinentit të vjetër, Nuri Seferi sipas rregullave të boksit, duhet ta mbrojë titullin brenda 6 muajve. "Kjo është e saktë, ndaj jam i mendimit se në fundin e shtatorit, ose fillimi i tetorit, është koha kur unë duhet ta mbroj titullin. Sipas të gjitha gjasave, sfidues do të jetë njëri nga 10 boksierët më të mirë evropian. Por, unë do të dëshiroja që ai të jetë Lubosh Suda, kampion i shteteve që bëjnë pjesë në Unionin Evropian", sqaroi Nuriu. Seferi në prag të sfidave të radhës do të punojë me trajnerin e tij Xhoze Cinga. "Qëllimi im primar është që të sfidoj francezin Rashid Eladet, i cili është kampion evropian në versionin WBA dhe njëherësh edhe kampion i Francës. Kjo sfidë me siguri do të zhvillohet në ndonjë qendër të boksit në Gjermani. Ndërsa qëllimi im përfundimtar është që të sfidoj Marko Huck, kampionin e botës në peshën time". Por, Nuri Seferi ka dëshirë që të ndeshet para tifozëve shqiptare në ndonjë qytet të Shqipërisë. "Dëshira ime është që të ndeshem para adhuruesve të boksit shqiptar. Jemi duke punuar në këtë drejtim. Me ardhjen e Ylli Ndroqit në krye të Federatës Shqiptare të Boksit, shpresoj se një ndeshje për titull në Shqipëri mund të realizohet", deklaroi kampioni aktual i Evropës në versionin WBO. Nuri Seferi në renditjen e fundit të publikuar ditë më parë nga versioni WBO është radhitur i 11-të në WBO. Në një ardhme të afërt mund të shohim sfidën me Marco Huck, i cili vazhdon ta mbaj titullin botëror të këtij versioni. /a.ke/
KOMENTE