English

Sport-Futboll/ Tirana Afron Serbin Sinik, Dinamo Miqësore Me Palermon Dhe Real Sociedad

TIRANË, 24 Korrik/ ATSH-Gjergji Mima/.-Skuadra e Tiranës, pas eliminimit nga Europa League, po kërkon të forcojë organikën e saj për fillimin e sezonit të ri. Blerja e radhës për bardheblutë është mbrojtësi i majtë serb, Ognjen Sinik. Pas disa ditëve prove tek bardheblutë mbrojtësi serb ka bindur trajnerin Strarova dhe presidentin Halili për të luajtur sezonin e ardhshëm ne skuadrën kryeqytetase. Pas largimit të mbrojtësit nigerian, Abraham Aleçeu, drejt kampionatit grek tek skuadra e Iraklis, drejtuesit e skuadrës bardhëblu duket se kanë gjetur zëvendësuesin e tij. Mbrojtësi serb, Ognjen Sinik, ka firmosur një kontratë 3-vjeçare ne Tiranën dhe do të përfitojë 25 mijë euro në sezon dhe 10 mijë euro plus për çdo vit pasardhës që do të luajë tek skuadra e teknikut Starova. Mbrojtësi serb ka një karrierë të pasur në Serbi dhe ka luajtur tek skuadra më të njohura të vendit fqinj. Serbi, Sinik do të debutojë zyrtarisht me fanellën e Tiranës në ndeshjen parë të sezonit të ri më 21 gusht ndaj skuadrës verdheblu të Elbasanit. Ndërkohë sulmuesi vlonjat, Fjodor Xhafa, firmosi për Bylisin. Ish-lojtari i Dinamos, Tiranës dhe Elbasanit, nënshkroi një kontratë dyvjeçare me presidentin e ballshiotëve, Besnik Kapllanaj. Aktualisht nën urdhrat e Ilir Spahiut po stërvitet edhe ish-portieri i Gramozit, Irakli Toçi. Ndërsa kampionia e Shqipërisë, Dinamo, do të zhvillojë dy ndeshje miqësore luksi gjatë përgatitores në Maribor të Sllovenisë në datat 1-10 gusht. Ndeshjet do të jenë me italianët e Palermos së Serisë A (2 gusht) dhe spanjollët e Real Sociedad (5 gusht). Gjatë përgatitjeve të para në Maribor në kuadër të përgatitjeve për Ligën e Kampioneve, Dinamo zhvilloi pesë ndeshje miqësore: Nk Celje (Slloveni), NK Koper (Slloveni), NK Rijeka (Kroaci), Inter Zapreshiç (Kroaci) dhe Gloria Bistrica (Rumani). /f.n/
KOMENTE