Sport: Vllaznia Merr Mbrojtesin Kosovar Kukaj
J
SHKODËR, 24 Korrik/ATSH-G. Marku/ - Mbërritja në Shkodër e kosovarit Liridon Kukaj duket se ka krijuar optimizmin e duhur në kampin kuqeblu, pasi futbollisti në fjalë konsiderohet si shumë i rëndësishëm për Vllazninë. Vetë karriera e tij e suksesshme, qoftë në kampionatin kosovar, apo edhe në Shqipëri, si lojtar i repartit të mbrojtës, qoftë në qëndër, apo në krah, ka bere qe ai te jete mirepritur ne radhet e Vllaznisë.
Në një prononcim per ATSH-në, Kukaj shprehet shumë i kënaqur që arriti të firmosë për Vllazninë. "Bisedimet me presidentin e Vllaznisë dhe stafin e tij kanë filluar që në mbyllje të sezonit të kaluar, por konkretizimi zyrtar arriti të bëhej vetëm tani", tha Kukaj, i cili menjëherë pas firmosjes së kontratës është bashkuar me skuadrën kuqeblu, duke u vënë në dispozicion të trajnerit malazez, Mojash Radonjiç.
Pas largimit të kosovarit tjetër Liridon Leci, i cili sezonin e kaluar luajti për shkodranët në krahun e majtë të repartit të mbrotjes, veshja kuqeblu e Kukajt mendohet të jetë zgjidhja më e mirë për këtë repart. Kosovari, i cili në skuadër ka gjetur edhe bashkëatdhetarin e tij, Ilir Nallbani, që ka sezonin e tretë me këtë fanelë, vlerëson jo pak edhe mikpritjen që gjeti në mjedisin kuqeblu, ndërkohë që vlerëson majft edhe traditën dhe emrin e mirë që Vllaznia ka në arenën ndërkombëtare.
"Unë kam besim të plotë se me Vllazninë do të arrijmë të fitojmë njërin nga dy trofetë më të rëndësishëm të sezonit, titullin kampion, apo Kupën e Shqipërisë, në mënyrë që me këtë skuadër të mundësohet ballafaqimi në veprimtaritë europiane të futbollit", tha Kukaj. /a.ke/