Topi-Sejdiu: Vendimi I Gjnd-Së Madhor, Serbia Të Njohe Verdiktin E Gjykatës
- Të dy homologët Topi e Sejdiu zhvilluan një takim informal në mjediset e Hotel "Rogner"-
TIRANË, 24 Korrik/ ATSH- Suada Daci/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi në Tiranë, vlerësuan vendimin e GJND-së, që e shpalli të ligjshme pavarësinë e Kosovës.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, po zhvillon sot një vizitë informale në Tiranë, ku u takua me Presidentin Bamir Topi.
Pas këtij takimit me dyer të mbyllura, që u zhvillua në mjediset e Hotel "Rogner", të dy homologët vlerësuan gjatë një prononcimi për mediat se,"vendimi që u dha nga Gjykata Ndërkomëbtare e Drejtësisë ishte një vendim madhor, duke i bërë apel shtetit të Serbisë ta pranojë verdiktin e kësaj gjykate".
"Është një moment madhor që shton në mënyrë të ndjeshme kredibilitetin e shtetit të ri të Kosovës dhe e fut atë në një rrjedhë të re të njohjeve të reja, të një bashkëpumi më institucional në rajon", u shpreh Presidenti Bamir Topi.
Ai tha se, "dua të përgëzoj presidentin Sejdiu për një rol të jashtëzakonshëm së bashku me lidershipin politik në Kosovë, për ndryshimin e menjëhershëm të imazhit të shtetit të ri të Kosovës, i cili është ndërtuar mbi bazat e multieticitetit dhe mbi baza reale të kësaj filozofie".
Kreu i shtetit tha se, "uroj që edhe Serbia ta vlerësojë këtë realitet të ri, pasi ishin ata që e dërguan çështjen ne Gjykatën Ndërkombetare dhe janë ata që duhet të pranojnë verdiktin e gjykatës".
Duke u ndalur tek e ardhmja e raporteve mes Shqipërisë dhe Kosoves, Topi u shpreh se, "në kontekstin rajonal janë zhvilluar disa takime dhe ne mendojmë që këto takime duhet të zgjerohen". Ai informoi se, "në nëntor Shqipëria do të jetë organizatore e 'Forumit Rajonal Ballkanik', me pjesëmarrjen e gjithë Presidentëve të Rajonit dhe shpresoj që kësaj ftese t'i përgjigjet edhe Presidenti Tadic, për të qënë pjese e një filozofie të re në rajon, ku të gjitha vendet të bashkepunojnë me një frymë të re komunikative, sepse duhet të jenë me një vizion të përbashkët euroatlantik", u shpreh Topi.
Presidneti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nga ana e tij falenderoi Shqipërinë për rolin e fuqishëm që ka luajtur për Kosovën. "Republika e Shqipërisë mbetet e fuqishme për kauzën tonë, si për lirinë edhe për zhvillimin e vendit tonë", tha ai.
Sipas Sejdiut, "vendimi i GJND-së për ne është një ditë e bekuar, sepse i jepet një mbështetje e fuqishme drejtësisë, lirisë njerëzore dhe lirisë së Kosovës, në mbështetje të fuqishme të verdiktit të madh të artikuluar në 17 shkurt në 2008".
Presidenti Sejdiu tha gjithashtu se,"ka ardhur koha e zhvillimeve të reja dhe ftojmë që edhe Republika e Serbisë të jetë partnere e bashkëpunimeve rajonale, por edhe e bashkëpunimeve për paqen dhe stabilitetin".
Axhenda e vizitës së Presidentit Sejdiu përfshin nje takim të veçantë dhe me kryeministrin Sali Berisha, me të cilin do të japë dhe një deklaratë për shtyp. /a.ke/