Vlore: Program Per Çeljen E Vendeve Te Reja Te Punes
VLORE, 24 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Në qytetin e Vlorës ka nisur zbatimi i një programi që synon shtimin e vendeve të reja të punës për të paktën 251 persona.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Punësimit, Zhylien Papajorgji, tha për ATSH-në se, për këtë qëllim, Ministria e Punës, Përkrahjes Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ka akorduar 15 milionë lekë, përmes të cilave do të financohen subjektet punëdhënëse dhe vetë individët që do të përfshihen në këtë program.
"Fondi i akorduar për këtë qëllim, subvecionon subjektet punëdhënëse për një periudhë 6 mujore, duke mbuluar 70 përqind të shpenzimeve për çdo vend pune, ndërkohë që personave që do të përfshihen në to u garanton sigurimet shoqërore, shëndetësore dhe një pagë për një periudhë 6 mujore, aq sa zgjat edhe kursi i kualifikimit të tyre", sqaron Papajorgji.
Në fund të kësaj periudhe, mbi bazën e kontratës që do të nënshkruhet, subjektet në tërësi do të jenë të detyruara të punësojnë një pjesë të personave që do të përfshihen në program, sipas standardeve dhe profilit të kualifikimit të tyre, kryesisht në sektorët e ndërtimit, turizmit dhe konfeksioneve.
Aktualisht, në qytetin e Vlorës numërohen 3800 punëkërkues të papunë. Krahasuar me vitin 2005, ky numër është 40 përqind më i ulët. /a.ke/