English

Vlore: Strategjia E Ullirit, 60 Mije Hektare Te Tjere Me Kete Kulture

VLORE, 24 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Në strategjinë kombëtare të ullirit parashikohet që në shkallë vendi të kultivohen me ullinj edhe 60 mijë hektarë, të cilat do t'u shtohen 40 mijë hektarëve, që është edhe fondi aktual i sipërfaqes së mbjellë me këtë kulturë. Prof.dr.Dhimitër Panajoti, drejtor i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore(QTTB) në Vlorë, që drejtoi punën për hartimin e kësaj strategjie në shkallë vendi, thotë për ATSH-në se, "Sipërfaqja e përgjithshme prej 100 mijë hektarësh, është e barabartë me 14.4 përqind të tokës bujqësore në shkallë vendi". Sipas tij, zbatimi i strategjisë, që aktualisht është në proces, parashikon të aplikohen në masë skemat e mbështetjes financiare për fermerët që do të kultivojnë ullinj në sipërfaqet e tokës që kanë në dispozicion. Panajori sqaron se, përmes hartës digitale që u përgatit me këtë rast, e para e këtij lloji në Shqipëri, krijohen mundësitë që në vazhdimësi në të të pasqyrohen parcelat e reja që do të kultivohen me ullinj, me emrat e pronarëve, duke krijuar një pasqyrë të saktë të këtij sektori në vendin tonë . "Aktualisht, është krijuar një pasqyrë e saktë e gjendjes aktuale, ku mjaft parcela janë në gjendje të mirë dhe me parametra të pranueshëm për shfrytëzimin dhe prodhimtarinë, ndërkohë që një pjesë e fondit të ullishtarisë është krejtësisht jashtë çdo standardi", thotë Panajoti. Ai sqaron se, "Një pjesë e sipërfaqes aktuale të ullishteve do t'i nënshtrohet ristrukturimit dhe rikuperimit, përmes aplikimit të metodave stimuluese, duke i vënë ato në shtratin e një zhvillimi intensiv, ndërkohë që një pjesë tjetër e konsiderueshme do të dalin jashtë fondit, për shkak të amortizimit të plotë të ullinjve, jorentabilitetit dhe pamundësisë për t'i përfshirë ato në procesin e prodhimit". Me këtë do të synohet që të dyfishohen treguesit e prodhimit, nga 9-10 kv/ha, ullinj, në 20 kv/ha. Ndërkohë, në fazën e dytë të strategjisë, parashikohet mbjellja e ullishteve të reja. Për këtë, do të synohet që këto ullishte t'i shmangen terreneve kodrinore, veçanërisht atyre të pjerrëta, ku nuk mund të garantohet prodhimtaria dhe të zhvendosen në zonat fushore, ku kushtet janë të përshtatshme dhe ku mund të aplikohen metoda bashkëkohore e të mekanizuara për rritjen e tyre dhe futjen sa më shpejt në procesin e prodhimit. /a.ke/
KOMENTE