Tiranë, 25 korrik, NOA, Rajmonda Lajthia - Aplikimi i taksës së re për automjetet ka detyruar shumë qytetarë të bëjnë shitjen e makinës së tyre, përpara se ligji të nisë të zbatohet.
Zyrat e noterisë në Tiranë konfirmojnë një fluks në rritje të aplikimeve gjatë dy muajve të fundit.
Noteri Fatmir Laçej, duke folur me agjencine e lajmeve NOA pohon se drejtuesit e automjeteve ndjehen të “frikësuar” nga kjo taksë dhe po bëjnë shitjen e makinave.
Bëhet fjalë për automjetet e vjetra, të cilat i janë nënshtruar aktit të shitjes, me qëllim shmangien e taksës së lartë, që do të detyrohen të paguajnë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Konstatohet se dominojne emigrantet qe kthehen per pushime, kryesisht nga Italia, te cilet shesin makinat e perdorura qe i sjellin nga zonat ku punojne dhe jetojne.
Por, ekonomistët janë të mendimit se kjo taksë, nuk pritet të japë efekte pozitive, siç është shtimi i deshiruar nga shteti, i të ardhurave në buxhet.
Edhe në aspektin ekonomik, kjo takse duket e pakuptimtë, pasi në një kohë që vlera e automjetit bie nga viti në vit, taksa pëson rritje dhe ky fakt shihet si nje paradoks.
Sipas ekspertit ekonomik Gjergj Filipi, ky ligj nuk parashikon dhe formën se si do të procedohet në rastet kur makina do të blihet me kredi nga bankat.
Në këtë rast pronësia e këtij automjeti zyrtarizohet në kohën kur përfundon pagesa e këstit të fundit të kredisë.
Nga ana tjetër ajo që i frikësohen ekonomistët është fakti se kjo taksë do të pezullojë shit-blerjen e makinave të përdorura, duke stimuluar ndoshta blerjen e makinave të reja.
Filipi vijon më tej në argumentin e tij duke thënë se njerëzit nuk stimulohen me këtë taksë, ndaj do të detyrohen të gjejnë forma më pak të kushtueshme, siç mund të jetë akti i përdorimit të një automjeti.
Ligji i ri parashikon që sa herë shitet një makinë, ajo do t’i nënshtrohet taksës.
Qëllimi është përdorimi i makinave të reja, por njëkohësisht mbledhja e parave në buxhet.
Aplikimi i kësaj takse dëmton më rëndë makinat e vjetra, çka do të thotë se shitja e tyre me hyrjen në fuqi të saj do të bjerë ndjeshëm.
r.l/r.n/NOA