English

Kosovë, policia nis masat për parandalimin e të shtënave me armë në ahengje dhe dasma

Prishtinë, 25 korrik, NOA – Një nga zakonet e hershme shqiptare në dasma ishte edhe shtënia me armë për të lajmëruar këtë fakt të ri dhe të lumtur për nusen dhe dhëndrin, një zakon që vazhdon të celebrohet kështu edhe në ditët e sotme, në zona të ndryshme shqipfolëse.

Pikërisht lidhur me të shtënat me armë nëpër ahengje e dasma, Policia e Kosovës ka paralajmëruar sot se do të marrë një sërë masash, për ruajtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, parandalimit të të shtënave me armë zjarri në ahengje, duke përfshirë këtu edhe ndalimin e kolonës së dasmorëve nëpër rrugë dhe bastisje në shtëpitë e tyre për armë.

Duket që këto masa po ndërmerren për faktin se kohët e fundit Policia e Kosovës thekson se është shtuar numri i rasteve të gjuajtjes me armë zjarri nëpër dasma e ahengje, të cilat në situata të caktuara kanë rezultuar me pasoja të rënda për qytetarët, një dukuri kjo shqetësuese për policinë e Kosovës.

Sipas policisë së Kosovës, përgjatë një jave janë regjistruar dhjetëra incidente të përdorimit të armëve të zjarrit në ahengje familjare, ku si pasojë e përdorimit të armëve janë plagosur disa vetë.

Dhe një dukuri e tillë ndjehet edhe më fort gjatë sezonit të verës kur numri i dasmave dhe ahengjeve familjare rritet në kufijtë e tradicionales, duke sjellë pasoja të rënda deri edhe fatale për jetën e dasmorëve.

Në këtë kontekst, rastet më të fundit kanë ndodhur më 23 korrik, kur në qytetin Gjilan të Kosovës, një person ishte plagosur me armë zjarri pikërisht nga një plumb i shtënë në ajër, ku një fishek i kishte shpurt tejpërtej shputën e këmbës.

Një tjetër rast, sipas policisë së Kosovës, u regjistrua në fshatin Dobrushë të komunës së Istogut, në 22 korrik, ku një fëmijë 12 vjeçar, ndërsa qëndronte i ulur në afërsi të rrugës së fshatit ishte goditur nga një predhë “qorre” në dorë, që dyshohet se ka ardhur si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit në ahengje familjare.

Policia e Kosovës në deklaratën e saj thekson shprehimisht se “I bëjmë thirrje qytetarëve tanë dhe kërkojmë që ata t’u shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre, sigurisë së të tjerëve si dhe të ndihmojnë vetveten që gëzimet, ahengjet dhe dasmat e tyre të përfundojnë ashtu siç ata dëshirojnë. Nëse veprime të tilla nuk kursehen më tej, policia konform detyrimit ligjor që ka, është e detyruar që në raste të tilla të sekuestrojë armët e përdorura si dhe do të ndalojë kolonat e dasmorëve për t’i kontrolluar ata dhe personat e dyshuar, madje do të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet për raste të tilla”.

Gjithashtu policët e trafikut rrugor do të vazhdojnë të zbatojnë ligjin mbi sigurinë e qarkullimit rrugor, që përcakton se gjatë kohës së lëvizjes së mjetit nuk lejohet që personat të kërcejnë, t’i hapin dyert dhe të dalin me pjesë të trupit jashtë mjetit, të ulen në dritare.

Për çdo veprim të tillë të kundraligjshëm ligji parashikon një gjobë prej 130 Eurosh për pasagjerin si dhe 130 Euro edhe ndaj shoferit të mjetit.

Policia e Kosovës garanton ndërkaq se do të shtojë angazhimet për parandalimin e dukurive të tilla sidomos gjatë sezonit veror, kur zakonisht organizohen ceremonitë e dasmave.

Angazhimet shtesë do të jenë edhe për kundërvajtjet e tjera lidhur me sigurinë e qarkullimit në rrugë.

“Ne kërkojmë mbështetje, bashkëpunim dhe koordinim të përbashkët në veprimet tona, për të arritur qëllimin për siguri dhe ambient më të sigurt të trafikut rrugor, në rrugët e Republikës së Kosovës”, përfundon deklarata e Policisë së Kosovës.

mit/NOA
KOMENTE