Kosovë- Thaçi: Pas Gjnd-Së, Nuk Ka Arsye Për Mosnjohje Të Kosovës
PRISHTINË, 25 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se pas vendimit të GJND-së "nuk ka arsye për të mos njohur pavarësinë e Kosovës".
Ai foli sot në një konferencë shtypi në Aeroportin e Prishtinës, pas kthimit nga vizita zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilën e vlerësoi të suksesshme dhe frytdhënëse për Kosovën.
Gjatë vizitës në Uashington, kryeministri Thaçi është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti i SHBA, Joseph Biden, ndërsa ka pasur edhe shumë takime të tjera.
Në një fjalim në Institutin Amerikan për Paqe në temën "Ndërtimi i së Ardhmës Euro-Atlantike për Kosovën: Mundësitë dhe Sfidat", Thaçi ka theksuar se krijimi i shtetit të Kosovës ka sjellë stabilitet dhe mundësi të reja për Ballkanin Perendimor.
Kryeministri ka vizituar edhe ekipin ligjor të Departamentit të Shtetit dhe e ka falenderuar në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës për angazhimin e jashtëzakonshëm dhe punën kolosale në prezantimin e rastit të Kosovës në GJND./e.gj//a.ke/