Operacioni "Ndërtuesi"- Pesë Të Arrestuar Për Trafik Droge Në Itali
TIRANË, 25 Korrik/ATSH/.- Pas një hetimi gati dy vjeçar forcat e Krimeve të Rënda në Shqipëri në bashkëpunim me autoritetet italiane kanë prangosur 5 shtetas shqiptarë, të cilët dyshohen për trafik droge në shtetin fqinj.
Prokurori i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besnik Muçaj tha sot për mediat se "më 24 korrik janë ekzekutuar urdhërat e arrestit për shtetasit Arben Veliko, Dritan Jahelezi, Latimir Hoxha, Panajot Dhiamandi dhe Sokol Kashta, në kuadër të operacionit 'Ndërtuesi', ndërmarrë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Të pesë të arrestuarit janë të dyshuar për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim".
Sipas tij hetimet për këtë procedim penal kanë nisur në vitin 2008 dhe për to është bashkëpunuar me policinë e shtetit, me Drejtorinë kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.
Faktet i referohen periudhës kohore të muajit dhjetor 2008, kur disa shtetas shqiptarë në territorin shqiptar kanë bashkëpunuar me shtetas shqiptarë në territorin italian dhe kanë mundësuar trafikimin e një sasie heroine. Në sajë të bashkëpunimit me autoritetet italiane është bërë e mundur që më 17 dhjetor 2008 në Milano të Italisë të sekuestrohet një sasi prej 11.85 kilogram lëndë narkotike e llojit heroinë dhe të arrestohen në flagrancë shtetasit shqiptarë Julian Kajdo dhe Eduart Toshkollari.
Prokurori Muçaj nënvizoi se operacioni 'Ndërtuesi' konsolidoi bashkëpunimin e suksesshëm ndërkombëtar me autoritetet italiane./a.s/