P/Ligji I Shish-Epiqendra E Debatit Politik Në Fund Të Sesionit Parlamentar
- Shënim -
TIRANË, 25 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Ndryshimet në ligjin "Për Shërbimin Informativ Shtetëror" vazhdojnë të jenë këto ditë në qendër të debatit dhe polemikave të politikës shqiptare.
P/ligji ishte planifikuar të shqyrtohej në seancën plenare të 22 korrikut, por u shty për shkak të këmbënguljes së opozitës, e cila ka deklaruar se komisioni i sigurisë nuk ka marrë parasysh disa sygjerime që ndërkombëtarët adresuan 4 muaj më parë, mbi amendimet e këtij ligji. Deputetët socialistë kanë kërkuar që ky projektligj të kalojë në shqyrtim pas opinionit të ndërkombëtarëve që janë shprehur se "SHISH duhet të mbetet profesional, i pavarur e i lirë nga ndërhyrjet politike".
Seanca e 22 korrikut në Kuvend shkaktoi përplasje maxhorancë-opozitë, ku kjo e fundit kundërshtonte shqyrtimin e p/ligjit, duke kërkuar që më parë për të merret ekspertiza e NATO-s dhe e SHBA-së, që drafti të jetë i standardeve të larta. Megjithë këmbënguljen e shumicës parlamentare se p/ligji i kishte kaluar të gjitha procedurat e shqyrtimit në komisione dhe ishte gati për diskutim në seancë, opozita insistoi për nxjerrjen e tij nga rendi i ditës i punimeve, sikurse dhe ndodhi.
Nga ana e saj maxhoranca konsideron si një moment të rëndësishëm të ndryshimeve në ligjin e SHISH përcaktimin e mandatit të Drejtorit të SHISH, deri në 5 vjet dhe me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Aktualisht drejtori i SHISH nuk ka një afat të caktuar për të qëndruar në krye të këtij institucioni.
Gjatë ditës së shtunë zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar iu përgjigjën interesit të medias rreth debatit për ligjin 'për shërbimet inteligjente', duke paraqitur opinionet për këtë draft të rëndësishëm.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi duke folur për debatin në fjalë deklaroi se ai do të mbetet besnik i parimeve themelore të Aleancës së Atlantikut Verior. "Po e ndjek me vëmendje këtë proces. Jam shumë i kujdesshëm për të thënë që nuk mund të paragjykoj asnjë vendim të Kuvendit, sepse Presidenti flet në momentin, kur ka një vendimmarrje të Kuvendit dhe realizohet komunikimi zyrtar mes insitucioneve te Kuvendit dhe institucionit te Presidentit. Ajo që mund të them në parim është, se kam qënë jam dhe do të mbetem vetëm luajal i parimeve fondamentale të Aleancës së Atlantikut të Veriut, që është aleanca më e madhe e paqes dhe sigurisë", tha Topi.
Kryeministri Sali Berisha, gjatë një komunikimi dje me mediat, theksoi se në Shqipëri nuk do të ketë zyrtar pa mandat. "Në këtë vend nuk do ketë zyrtarë pa mandat. Vendet e NATO-s i kanë të gjithë zyrtarët me mandat. Mandatet janë një normë dhe standard në vendet demokratike", deklaroi kryeministri.
Ndërkohë, po dje zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta iu bashkua qëndrimit të kryeministrit lidhur me mandatin e kreut të SHISH, por ndërkohë është i mendimit se para miratimit të p/ligjit duhet pritur një opinion nga NATO.
"Është tepër parimore që çdo zyrtar i lartë të ketë mandat të përcaktuar dhe kjo është pothuajse për të gjithë përfaqësuesit e të gjithë institucioneve të tjera. Edhe për institucionin në fjalë kjo është mëse normale, që të vendoset një afat ligjor. Por, është shumë e rëndësishme që ky afat të jetë në kuadër të një rregullimi dhe përcaktimi ligjor që garanton qëndrueshmërinë dhe pavarësinë e këtij institucioni. Kjo ka qenë dhe arsyeja pse e kam theksuar rëndësinë që çdo ndryshim është e rëndësishme që të bëhet në mënyrë të mirëkonsultuar me NATO-n", u shpreh dje Meta.
Nesër pritet mbledhja e Kuvendit në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar, ku do të mësohet nëse p/ligji i SHISH do të vijë sërish për shqyrtim apo do të shtyhet për sesionin e ardhshëm në shtator.
Amendimet e këtij ligji në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese miratohen në Kuvend me 71 vota. Sipas këtij ligji, një vendim i Kushtetueses e saktëson ligjin për SHISH, lidhur me emërtesën, duke e konsideruar atë organ jokushtetues.
Sipas ekspertëve ligjorë, fakti që SHISH përmendet tangencialisht në Kushtetutë nuk do të thotë se e shndërron në organ kushtetues. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese është një referencë e qartë ligjore e nenit 78 të Kushtetutës dhe për pasojë dhe amendimi i ligjit bazë për funksionimin e SHISH, mund të bëhet sipas parimit të shumicës parlamentare, me 71 vota.
Shërbimi Informativ Shtetëror konsiderohet një institucion mjaft i rëndësishëm për çështjen e sigurisë kombëtare, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas ligjit aktual, "Për Shërbimin Informativ Shtetëror", Drejtori i SHISH informon Presidentin dhe Kryeministrin për probleme që kanë të bëjnë me sigurinë. Drejtori i SHISH i paraqet Kryeministrit një raport vjetor për punën e këtij organi, ndërsa i raporton atij në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e tij. /k.sh/