English

Qeveria serbe kërkon seancë të jashtëzakonshme në parlament për Kosovën

Beograd, 25 korrik, NOA – Pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili prishi planet strategjike për territoret e Kosovës, Qeveria e Serbisë ka kërkuar sot që parlamenti i Serbisë të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme të hënën.

Në një kërkesë të dërguar parlamentit, qeveria serbe bën të ditur se tashmë është i nevojshëm edhe deklarimi i ligjvënësve rreth opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për Pavarësinë e Kosovës.

Në komunikatën për shtyp qeveria e Serbisë, njofton se kuvendi pritet të diskutojë edhe për, “aktivitetet e ardhshme në mbrojtje të sovranitetit dhe të integritetit territorial”, duke nënkuptuar kështu se Serbia ende nuk ka ndërmend të ndërrojë mendim lidhur me territoret e Kosovës.

Kjo devizë është e pritshme edhe për faktin se menjëherë pas mendimit të GJND-së, se shpallja e njëanshme e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt të vitit 2008 nuk ka shkelur të Drejtën Ndërkombëtare, ishte vetë presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i cili deklaroi se “Serbia nuk do ta njohë kurrë Pavarësinë e Kosovës”.

mit/NOA

KOMENTE