Reportazh- Të Verosh Në Lumin Shkumbin...
ELBASAN, 25 Korrik/ATSH-Miranda Sadiku/.- Të përshkosh lumin Shkumbin përgjatë rrugës nacionale Elbasan-Librazhd është vërtet një mrekulli. Një peisazh që të mbetet në mendje nga bukuritë natyrore, siç janë rrapet shekullorë, që bëjnë hije në këto ditë me temperatura të larta, por dhe mali përbri dhe kodrat pas tij.
Lokalet, që ngrihen njëri pas tjetrit në këtë zonë, në stinën e verës janë thuajse të tejmbushur, jo vetëm me qytetarë elbasanas, por dhe nga rrethinat apo të huajt që vizitojnë Shqipërinë.
Në vitet e para të demokracisë lumi u la në harresë, por vitet e fundit fluksi i pushuesve po vjen në rritje, kjo për shkak të infrastrukturës dhe zhvillimit të biznesit në këtë zonë.
Po të ndalosh në lokalin me pronar Misirin, nuk e njeh atë si pronar pasi është i thjeshtë dhe siç thotë dhe vetë "të gjithë duhet të punojmë, të gjithë jemi njësoj, si unë dhe stafi i lokalit tim".
Misiri e ka restauruar lokalin e tij. Duke qenë se lokali ngrihet shumë pranë lumit, ai ka krijuar aty dhe një oaz me rërë, që rrethohet nga pisha e rrape shumëshekullorë.
"Këtu nuk vijnë vetëm elbasanllinjtë, që më së shumti janë klientë të rregullt prej vitesh, por edhe të huaj", thotë Misiri, i cili mesa duket ofron një shërbim korrekt dhe të pastër.
"Oazin me rërë e kam bërë posaçërisht për plazhistët, për të gjithë ata qytetarë, të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të shkojnë në plazh. Vendi është falas, kushtet janë komode dhe uji është mjaft i pastër", thotë ai.
Besnik Koburja, një qytetar rreth të 50-ve, duket se e ka gjetur vendin e përshtatshëm për të pushuar këtë verë.
"Nuk ka asnjë ndryshim me detin. Pse duhet të shpenzoj kur gjithçka që më nevojitet është këtu", thotë ai, ndërsa shton se 'pasi lahemi disa herë në lumë drekojmë këtu. Preferencat janë të ndryshme, dhe përreth 30 minuta gjithçka është gati. Midea të kthehet në vend, me një tavë kosi, fërgesë dhe kalastrenë, të gatuara nga kuzhinieri i lokalit", thotë Besniku.
Por, duket se si ai janë shumë pushues të tjerë, të rinj e të reja, çifte, që me fëmijët e tyre e kanë lënë detin këtë vit dhe po verojnë në fshatin Mirakë, në lokalin e Misirit, i cili që në orët e para mbledh me dhjetra bashkëqytetarë në oazin me rërë, buzë lumit Shkumbin.
Lumi Shkumbin pret në veçanti në fundjavë shumë pushues, shtrati i të cilit përgjatë qytetit përcjell ujin paqësisht si vetë vendasit që e çmojnë paqen.
Ai buron në malin e Valamares, rrjedh përmes një lugine të ngushtë e relievi të thyer dhe derdhet në Adriatik. Gjatësia e këtij lumi është 181 km, ndërsa prurja e ujit arrin vlerën mesatare vjetore prej 61 m/kub/sek.
/a.s/