Ka filluar realizimi i planit policor për parandalimin e të shtënave me armë zjarri në ahengje - dasma
Prishtinë, 25 Korrik 2010 NOA - Me qëllim të ruajtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve dhe parandalimit të të shtënave me armë zjarri në ahengje, Policia e Kosovës ka vendosur të ndërmarrë një sërë masash përfshirë këtu edhe ndalimin e kolonës së dasmorëve dhe bastisje në shtëpi, raporton korrespondenti i agjencisë NOA duke cituar burime zyrtare.
Nisur nga fakti se kohëve të fundit është shtuar numri i rasteve të gjuajtjes me armë zjarri në ndeja dhe ahengje të ndryshme të cilat në situata të caktuara kanë rezultuar me pasoja të rënda për qytetarët, Policia e Kosovës ka ngritur shqetësimet në lidhje me masat dhe veprimet që duhet ndërmarrë për parandalimin e kësaj dukurie.
Në një periudhë një javore janë regjistruar dhjetëra incidente të përdorimit të armëve të zjarrit në ahengje familjare si dhe si pasojë e përdorimit të armëve disa persona janë plagosur.
Megjithëse kjo dukuri gjatë sezonit veror kur shtohet numri i dasmave ndejave dhe ahengjeve familjare ngërthehet në kufijtë e tradicionales, pasojat e ardhura nga veprimet e tilla kanë qenë nga ato më të rëndat deri në ato fatale.
Kështu, dy ditë më parë në Gjilan Policia ishte informuar për një person të plagosur me armë zjarri. Patrulla policore pas kontaktit me viktimën dhe dëshmitarët ka kuptuar se viktima i cili ishte i ftuar në një aheng familjar – dasmë si pasojë e të shtënave dhe përdorimit të armës së zjarrit ishte goditur nga një fishek në shputën e këmbës.
Një incident tjetër është regjistruar në fshatin Dobrushë të Istogut më 22 korrik 2010, ku një fëmijë 12 vjeçar derisa ishte i ulur në afërsi të rrugës së fshatit ishte goditur nga një predhë “qorre” në dorë që dyshohet se ka ardhur si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit në ahengje familjare.
Kurse jo më larg se dje, në rrugën “18 Qershori” në Skënderaj, rreth orës 21:20 një burrë i ekzaltuar gjatë një dasme ka shkrepur me armë zjarri në ajër me një revole të tipit TT të kalibrit 7.62 mm.
I dyshuari është shoqëruar dhe pas intervistës me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Duke parë këtë situatë, secila drejtori rajonale e PK-së (përfshirë edhe stacionet policore) sipas nevojave dhe gjendjes aktuale sa i përket këtij fenomeni negativ, kanë hartuar plane të veçanta policore të cilat konsistojnë në mbrojtjen e jetës dhe të pronës së qytetarëve si dhe parandalimin dhe konfiskimin e armëve që përdoren në ahengje familjare.
“Andaj mbështetur mbi këtë bazë, apelojmë te qytetarët tanë dhe kërkojmë nga ta që t’u shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre, sigurisë së të tjerëve si dhe të ndihmojnë vetveten që gëzimet, ndejat, ahengjet dhe dasmat e tyre të përfundojnë ashtu siç ata dëshirojnë, sepse nëse ata nuk kursehen nga veprimet e tilla policia konform detyrimit ligjorë që ka, obligohet që në rastet e tilla të filloj kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndaloj kolonat e dasmorëve për t’i kontrolluar ato dhe personat e dyshuar dhe në situata të caktuara të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet për raste të tilla”, - deklaroi përmes një apeli publik Policia e Kosovës.
Po ashtu, zyrtarët policorë nga njësitë e trafikut rrugor do të vazhdojnë së zbatuari Nenin 185.1 (ligji mbi sigurinë e komunikacionit rrugor) përcakton se gjatë kohës së lëvizjes së mjetit nuk lejohet që personat të kërcejnë, ti hapin dyert dhe të dalin me pjesë të trupit jashtë mjetit, të ulen në dritare (nëpër dasma ose ndonjë ceremoni të ngjashme), në pjesët e jashtme të mjetit.
Për veprimin në kundërshtim me dispozitat e këtij neni është e paraparë gjoba prej 130 Euro për pasagjerin si dhe 130 Euro edhe ndaj shoferit të mjetit.
Policia e Kosovës thotë se do të shtojë angazhimet për parandalimin e dukurive të tilla sidomos gjatë sezonit veror kur zakonisht organizohen ceremonitë e dasmave ose ndonjë ceremoni e ngjashme. Angazhimet shtesë do të jenë edhe për kundërvajtjet e tjera që janë të parapara me ligjin e sigurisë së komunikacionit rrugor.
“Ne kërkojmë mbështetje, bashkëpunim dhe koordinim të përbashkët në veprimet e punëve policore për të arritur qëllimin për siguri dhe ambient më të sigurt të komunikacionit në rrugët e Republikës së Kosovës”, - apelon Policia.
a.b/r.n/NOA