English

Vlorë- E Diela Nis Me Reshje Shiu

VLORË, 25 Korrik/ATSH-H.Koçi/.-E diela në gjirin detar të Vlorës nisi me reshje shiu. Ato filluan rreth orës 06.00 dhe vazhduan për rreth 60 minuta. Por, moti vazhdon të dominohet nga vranësirat të cilat të jenë të pranishme deri në mesditë. Në orët e pasdites, parashikohet që moti të jetë i kthjellët, me zhvillime të pakta resh. Kjo situatë meteorologjike është rrjedhojë e ndryshimit të regjimit të erërave që do të ndikojë edhe në rënien e vlerave të temperaturave. Por, pavarësisht kësaj, kushtet e lundrimit janë të favorshme çka ka bërë që mbi 20 peshkarexha të dalin sot në hapësirën detare brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës. Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në se, sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Perëndim-Veriperëndim, me shpejtësi nga 4-6 m/sek, deri në 8-10 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 31-33 gradë celsius dhe ato minimale në 20-22 gradë celsius, ose respektivisht 2 gradë më ulët se një ditë më parë. Valëzimi parashikohet të jetë 1-2 ballë brenda gjirit detar dhe 4-5 ballë në det të hapur. /k.sh/
KOMENTE