English

Adoleshenti shqiptar mbytet bashkë me të atin në Greqi

Zaharo, Peloponez 26 Korrik 2010 NOA – Një djalë i mitur nga Shqipëria dhe babai i tij, janë mbytur tragjikisht në det kurse kërkimet për gjetjen e të parit ende vazhdojnë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme në zonën bregdetare të Zaharos në ishullin e Peloponezit në Greqi, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Gjithçka ka ndodhur në sy të shumë pushuesve. Djali 17 vjeçar i cili jetonte si emigrant bashkë me familjen në këtë ishull grek, është futur në det dhe ka nisur të notojë.

Në një moment nuk e ka ndjerë veten mirë dhe duke parë rrezikun që po i avitej, ka kërkuar ndihmë.

Klithmën e kanë dëgjuar shumë njerëz dhe mes tyre i ati, i cili rendi në det për ta shpëtuar.

Por përpjekja ishte fatale për 42 vjeçarin sepse ai u mbyt pikërisht ndërsa përpiqej të shpëtonte të birin 17-vjeçar.

Disa pushues u përpoqën t’u shkojnë në ndihmë por asgjë nuk pati vlerë, burri 42 vjeçar u nxor i vdekur nga deti kurse i biri humbi në ujërat e detit plot dallgë.

Kërkimet për gjetjen e adoleshentit shqiptar vazhduan edhe gjatë ditës së sotme duke futur në “lojë” dhe një helikopter, por ende ai nuk është gjetur, ndaj policia beson se ai nuk ka arritur të mbijetojë.

n.s/NOA

KOMENTE