English

Aksidenti Fushë-Arrëz/ Një Prej Fëmijëve Drejt Përmirësimit Shendetesor

OR TIRANË, 26 Korrik /ATSH- M.Shkurta/. -Gjendja shëndetësore e vajzës së vogël, e plagosur pak ditë më parë në aksidentin tragjik të Fushë-Arrëzit, po vjen drejt përmirësimit, ndërsa vazhdon të mbetet e njëjtë gjendja shëndetësore e një tjetri. Drejtori i Spitalit Ushtarak të Tiranës, dr.Bedri Mihaj, konfirmoi të hënën për ATSH-në se, gjendja shëndetësore e vajzës së vogël të familjes Mustafa, që ndodhet ne sallën e reanimacionit nën terapi intensive, ka shenja përmirësimi. "Duke parë parametrat shëndetësorë të vajzës, që duket se po përmirësohen, ekipi mjekësor i ka hequr tubin e frymëmarrjes, ndërsa në nuk ka pësuar ndryshime gjendja shëndetësore për djalin e vogël", tha Dr.Mihaj. Dy fëmijët e vegjël me fraktura të rënda janë Anisa Mustafa, që në këtë aksident tragjik humbi dy prindërit dhe motrën e madhe, si dhe vogëlushi Erikson Pera, që ka pësuar dëmtime në mushkri, kokë dhe në bark. Në pasditen e 17 Korrikut në fshatin Dom të komunës Gjegjan në rrethin e Pukës, një autobus me pasagjerë i linjës Fushë Arrëz- Durrës ra nga një lartësi prej 30-40 metra, pranë lumit Fan, ku për pasojë, humbën jetën 14 persona, ndërsa mbetën të plagosur 12 të tjerë, të cilët aktualisht ndodhen në Spitalin Ushtarak të Tiranës nën kujdesin e mjekëve të specializuar./n.m/
KOMENTE