Bruksel, 26 korrik, NOA – Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili legjitimoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Brukseli zyrtar do të zhvillojë sot një takim për të përcaktuar qëndrimin e Bashkimit Evropian rreth tij.
Kështu, burime diplomatike bëjnë me dijeni se ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, do të mblidhen sot në një takim të posaçëm për të diskutuar rreth hapave të ardhshëm mbi Kosovën, tani që GJND shpalli mendimin e saj këshillë-dhënës se pavarësia e saj nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Zyrtarë të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian, bëjnë me dije se në Bruksel priten të shqyrtohen hapat e ardhshëm të Kosovës drejt strukturave evropiane, e konsideruar si një pjesë e rëndësishme e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ky i fundit inspiron të futet drejt Bashkimit Evropian sa më parë e në këtë mënyrë, edhe Kosova po komentohet si një vend që meriton të ushqejë ëndrrën e tij evropiane, sidomos pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili legjitimoi shpalljen e pavarësisë së saj.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ana e tyre, kanë deklaruar qëndrimin e tyre se Bashkimi Evropian duhet të tregohet i hapur ndaj Kosovës.
Sikundër i kanë lënë porosi BE-së që të tregohet i gatshëm për të ndihmuar dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
n.e/NOA