Beograd - "Blic": Shba Rekomandon Ndërrimin E Jeremiçit
BEOGRAD, 26 korrik /ATSH-MIA/ - Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të
Drejtësisë në Hagë, sipas së cilës deklarata për pavarësinë e Kosovës nuk bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, SHBA porosit Beogradin se është koha e duhur për të ecur përpara, porse kjo nuk është e mundur përderisa fushatën për Kosovën e drejton ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremiç, shkruan sot gazeta e përditshme e Beogradit "Blic".
Gazeta vlerëson se pozicioni i Jeremiçit nuk është i favorshëm as në skenën e brendshme të Serbisë, pasi partitë opozitare e akuzojnë se ishte ai që kishte këmbëngulur që çështja e Kosovës të çohej përpara GJND-së, ndërkohë që atje Serbia pësoi disfatë.
''Edhe brenda Partisë Demokratike Serbe, Jeremiç nuk mund ta llogarisë mbështetjen, meqenëse një krah i kësaj partie vendimin e Hagës e sheh si gjykim kundër tij'', thekson gazeta "Blic".
E mirinformuar nga burime diplomatike, "Blic" shkruan sot se ''SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë nga Serbia të mos këmbëngulë për një rezolutë për Kosovën në OKB ose, së paku, në tekstin e tij Beogradi të mos këmbëngulë për negociata rreth statusit të Kosovës''.
''Nëse Serbia vendosë të paraqesë një rezolutë, atëhere edhe SHBA dhe Shqipëria do të paraqisin rezolutat e tyre'', shkruan gazeta "Blic"./
a.jor.