English

Dalin në internet, 90 mijë materiale sekrete për Afganistanin

Uashington, 26 korrik, NOA – Dokumente sekrete të ushtrisë amerikane rreth luftës në Afganistan, kanë përfunduar në një faqe interneti, duke hapur skandalin e radhës lidhur me luftën në vendin e njohur të konfliktit.

Bëhet fjalë për më shumë se 90 mijë dokumente të botuara në internet, nga faqja Vikileaks, për të cilat thuhet se ato mbulojnë një periudhë nga janari 2004 dhe dhjetori 2009.

Dokumentet sekrete të publikuara, përfshijnë detaje për bastisjet e zhvilluara nga një grup sekret i operacioneve speciale amerikane kundër atyre që zyrtarët amerikan i quajnë objektiva terroriste dhe kryengritëse të rëndësisë së veçantë.

Bastisje këto, të cilat thuhet se kanë rezultuar në vrasje të padëshiruara të civilëve afganë, por edhe dokumente që përshkruajnë frikën se shërbimet e zbulimit pakistanez po ndihmonin kryengritjen afgane.

Publikimi i kësi materialeve është komentuar si i padrejtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat madje kanë akuzuar organizatorët për nxjerrjen e sekretit.

Vetë këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, James Jones, e dënoi aktin, duke pohuar se publikimi i tyre jo vetëm që rrezikon jetën e amerikanëve dhe partnerëve të tyre, por gjithashtu kërcënon edhe sigurinë kombëtare.

Në tërësi, Shtetet e Bashkuara fuqishëm e kanë dënuar zbulimin e informatave të fshehta për luftën në Afganistan.

n.e/NOA

KOMENTE