Tiranë, 26 korrik, NOA – Parlamentarët shqiptarë pritet që të debatojnë sërish gjatë seancës së sotme plenare lidhur me amendimet e propozuara nga mazhoranca për ligjin e funksionimit të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Kjo pasi, parashikohet që në rendin e ditës të punimeve të Kuvendit, të përfshihet gjithçka ka qenë në listë gjatë seancës së kaluar, çka presupozon në këtë mënyrë, edhe marrjen në shqyrtim të amendimeve për ligjin e SHISH, të propozuara në Partia Demokratike.
Por që në fakt, janë kundërshtuar nga Partia Socialiste, si edhe partia e koalicionit qeveritar, Lëvizja Socialiste për Integrim, arsye kjo për të parashikuar një kalim me vështirësi të këtij ligji nga ana e mazhorancës.
Vetë kreu i saj, Ilir Meta ka deklaruar se është pro vendosjes së mandatit për kryetarin e SHISH-it, por edhe për këtë pikë ka kërkuar konsultimin me Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Projektligji për ndryshimin e ligjit të Shërbimit Informativ Shtetëror, ka sjellë reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, të cilat kërkuan që drafti të konsultohet me organet e tyre të specializuara para se të kalojë për miratim në Kuvendin shqiptar.
n.e/NOA