Fishë Teknike - Bërthamore - Sanksionet E Reja Të Be-Së Për Iranin
- Energjia, financa dhe transporti sektorët më të goditur -
BRUKSEL, 26 korrik /ATSH-ANSA/ - Energjia, financa, transportet: janë këta sektorët kryesorë që preken nga sanksionet e reja të Bashkimit Evropian, të cilat hyjnë në fuqi duke nisur nga dita e nesërme, pasi të publikohen në Fletoren Zyrtare të BE-së. Paketa e sanksioneve u miratua sot nga ministrat e Jashtëm të BE-së.
- ENERGJIA - Kompanive evropiane u ndalohet të investojnë në aktivitetet energjetike iraniane (naftë, gaz dhe lëngëzimi i gazit). Gjithashtu kompanitë evropiane nuk mund të furnizojnë me mjete ose të transferojnë teknologjitë në Iran, si për shembull në fushën e rafinimit të benzinës, në të cilin Teherani kërkon 40 për qind importe për të përmbushur nevojat kombëtare.
- BANKAT - Parashikohet ngrirja e fondeve të depozituara jashtë vendit për personat e renditur në "listën e zezë" të BE-së (personalitete të përfshira në aktivitete bërthamore ose me Gardianët e Revolucionit).
Çdo tërheqje parash më e madhe se 40 mijë euro është e ndaluar nëse nuk merr një autorizim të posaçëm. Në Evropë nuk mund të hapen filiale të reja bankash iraniane dhe nuk mund të nisin marrëdhënie të reja ndërmjet instituteve financiare evropiane me ato iraniane.
- TRANSPORTET - Anijet e dyshuara iraniane mund të kontrollohen nga autoritetet portuale evropiane. Drejtuesit e shërbimeve aeroportuale në vendet e BE-së nuk mund t'i japin asistencë fluturimeve tregtare iraniane. Të mirat materiale të IRISL-së (Islamic Republic of Iran Shipping Lines) do të ngrijnë.
Përtej këtyre masave, Bashkimi Evropian parashikon të limitojë mbulimin me siguracion të operacioneve tregtare me Iranin dhe të përforcojë embargon aktuale mbi produktet "dy përdorimshe" (civile dhe ushtarake).
Gjithsej, "lista e zezë" e BE-së përfshin rreth 100 persona dhe më shumë se 60 kompani dhe filiale.
/e.v/