English

Fishë Teknike/Bilanci I Kuvendit Të Shqipërisë

TIRANË, 26 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Kuvendi i Shqipërisë mbylli sot zyrtarisht punimet e sesionit të dytë të legjislaturës së XVIII-të me miratimin, vetëm me votat e maxhorancës të projektligjit "Për disa ndryshime në ligjin 'Për buxhetin e vitit 2010". Aktiviteti gati një-vjeçar i Kuvendit, i nisur më 7 shtator 2009 me konstituimin e parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, regjistron një bilanc pozitiv, me miratimin e mbi 200 ligjeve, vendimeve e rezolutave, përgjatë 43 seancave plenare. Gjatë kësaj periudhe, Kuvendi përmbushi rolin kushtetues, duke vazhduar me reformat e rëndësishme të vendit, përmes miratimit të një numri ligjesh të rëndësishëm në fushat e drejtësisë, ekonomisë, çështjeve sociale etj. Jeta parlamentare përgjatë vitit të parë legjislativ u shoqërua në pjesën më të madhe të kohës me bojkotimin e Kuvendit nga Partia Socialiste në opozitë, e cila ishte e pranishme me kohë të plotë në sallën e Kuvendit vetëm në rreth 15 seanca, nga 43 të zhvilluara. Momenti më i vështirë në veprimtarinë 1- vjeçare të Kuvendit mbetet miratimi i projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash (3/5), për të cilat opozita edhe në këtë sesion nuk dha konsensus. Një pjesë e tyre kanë qënë 'peng' i bojkotit të zgjatur të deputetëve të majtë, ndërsa disa të tjerë janë mbartur nga legjislatura parardhëse. Opozita e përligj këtë qëndrim bllokues me plotësimin e kërkesës për zgjidhjen e krizës politikë në vend, përmes transparencës së zgjedhje. Nga zhvillimet kryesore të vitit të parë të legjislaturës së XVIII-të: - Më 7 shtator 2009 nis punimet sesioni i I-rë i Kuvendit pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, njohur dhe çertifikuar nga institucionet zgjedhore ndërkombëtare, si zgjedhjet më të mira të zhvilluara në Shqipëri. Opozita refuzon të hyjë në parlament duke kërkuar transparencën e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit. - Më 16 shtator 2009 Kuvendi votoi programin dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. - Gjatë këtij viti, u mbajtën rreth 40 seanca plenare. - Në të dy sesionet parlamentare u miratuan rreth 200 ligje dhe vendime. - Më 27 Nëntor 2009 Kuvendi miraton projektbuxhetin për vitin 2010. - Më 3 Dhjetor 2009, Kuvendi miraton ligjin 'Antimafia'. - Më 18 Janar 2010, Kuvendi miratoi rezolutën ku i kërkon Qeverisë që të angazhojë të gjitha burimet financiare dhe njerëzore të saj për kapërcimin sa më të shpejtë të pasojave të përmbytjeve në qarkun e Shkodrës. - Më 25 Shkurt 2010, deputetët e Partisë Socialiste të opozitës hyjnë për herë të parë në Kuvend, pas një bojkoti 6-mujor. - Më 11 mars 2010 Kuvendi miraton me 127 vota rezolutën për liberalizimin e vizave. - Më 19 Mars Kuvendi miraton vetëm me votat e maxhorancës ngritjen e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit, i cili nuk u votua nga opozita. - Më 15 prill Kuvend mban një minutë heshtje në nderim të ish-Presidentit polak Leh Kazinski, që u nda nga jeta më 10 prill pas aksidentit tragjik ajror në Smolensk të Rusisë. - 24 qershor Kuvendi miraton disa ndryshime në rregulloren që lidhen me mënyrën e shqyrtimit dhe votimit në parlament të dekreteve të Presidentit. - 8 Korrik Kuvendi miraton me votat e maxhorancës kandidaturën e Medi Bicit për anëtar të Gjykatës së Lartë, ndërsa rrëzoi kandidaturën e Sokol Çomos. Opozita nuk mori pjesë në votim. - 15 Korrik Kuvendi rrëzon me 65 vota kundër dekretin e emërimit të Vexhi Muçmataj, anëtar të Gjykatës së Lartë. - 15 Korrik Kuvendi miraton ngritjen e komisionit hetimor "për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të masakrës së Tivarit, 1945" - 26 korrik Kuvendi mirtaton disa ndryshime në ligjin e buxhetit të shtetit 2010. Ndërkohë, një numër projektligjesh të rëndësishme, që kërkojnë miratim me shumicë të cilësuar, dhe që ishin depozituar për votim në fund të këtij sesioni u shtynë për punimet e sesionit të ri të vjeshtës, që do t'i nisë punimet në fillim të muajit shtator. Disa nga p/ligjet që presin votimin me 3/5 e votave: P/ligji "Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative". P/ligji "Për ndryshimin e emrit të fshatit Qendër Komunë". P/ligji "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare", P/ligji "Për Noterinë". Votim me shumicë të cilësuar presin dhe një numer ndryshimesh në disa kode si, ndryshimet në "Kodin Hekurudhor", "Kodin Doganor", "Kodin Ajror", "Kodin Rrugor" dhe "Kodin detar". /f.n/
KOMENTE