Tiranë, 26 korrik, NOA – Fundjava që sapo u mbyll ka shënuar një ‘boom’ të vërtetë të dyndjes së turistëve kosovarë drejt bregdetit shqiptar, duke kapur një shifër të konsiderueshme të atyre që shkelnin tokën e vendit tonë.
Sipas të dhënave që komunikon policia kufitare e Kosovës, posaçërisht për agjencinë e Lajmeve NOA, gjatë datave 23-23 korrik u shënuan mbi 160 mijë persona të regjistruar në hyrjet dhe daljet e pikë-kalimeve kufitare të Kosovës me Shqipërinë.
“Bazuar në të dhënat e regjistruara në të gjitha pikë-kalimet kufitare për periudhën kohore nga 23 deri më 25 korrik numri i personave të kontrolluar në hyrje-dalje të Republikës së Kosovës ka qenë mbi 160.000 persona. Pikë-kalimi kufitar më i frekuentuar vazhdon të mbetet ajo e Vërmicës, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar mbi 36.469 persona në hyrje dhe dalje”, komunikojnë autoritetet policore kosovare.
Duke shtuar se gjithashtu është duke u zbatuar marrëveshja e mirëkuptimit e nënshkruar më parë në mes të Policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila përcakton se gjatë 3 muajve të sezonit turistik veror kontrolli i hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare Kosovë- Shqipëri të ushtrohet vetëm në njërën nga pikat doganore.
“Policia Kufitare e PK-së e angazhuar maksimalisht për sigurinë kufitare dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, si dhe vendosjen e një sistemi efikas dhe efektiv të menaxhimit të integruar të kufirit, në mënyrë që të arrihet qëllimi i përbashkët i kufijve të hapur, por të kontrolluar mirë dhe të sigurt”, përfundon deklarata e Policisë së Kosovës.
Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se në akset rrugore Vërmicë (Kosovë) deri në Kalimash (Shqipëri) që nga koha e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për patrullim të përbashkët nuk është regjistruar asnjë aksident me pasoja fatale.
n.e/NOA