Itali - Diplomatët Italianë Në Të Gjithë Botën Në Grevë Kundër Planit Shtrëngues Ekonomik
ROMË, 26 korrik /ATSH-AFP/ - Diplomatët italianë me detyrë në Romë dhe në të gjithë botën janë hedhur në grevë sot për të protestuar kundër shkurtimeve buxhetore në ministritë e tyre nga plani i masave të rrepta ekonomike i qeverisë së Silvio Berluskonit, që akuzohet se po shkatërron diplomacinë transalpine.
Greva përfshiu Farnesinën (selia e Ministrisë së Jashtme në Romë) dhe 325 përfaqësitë italiane në botë, ambasada, konsullata, përfaqësi të përhershme dhe institute kulturore, që do të zvogëlojnë aktivitetet në shërbime minimale dhe të domosdoshme", bëri të ditur Sindame, sindikata kryesore e funksionarëve të ministrisë.
"Greva, e organizuar në prag të konferencës së ambasadorëve italianë të martën dhe të mërkurën në Farnesina, do të kufizohet vetëm në një ditë dhe nuk do të sjellë pengesa për qytetarët italianë", theksoi ai.
Sipas sindikatës, "shkatërrimi i Farnesinës nga shkurtimet e burimeve të nevojshme për funksionimin e ministrisë të parashikuara nga plani i masave të rrepta ekonomike do të sjellë fillimin e një procesi që mund ta lërë Italinë mënjanë.
Plani i masave të rrepta ekonomike prej 24,9 miliardë eurosh parashikon veçanërisht ngrirjen për tre vjet të pagave të funksionarëve dhe një zvogëlim prej 10 për qind të buxheteve të ministrive.
Në një letër drejtuar javën e kaluar Silvio Berluskonit si dhe ministrit të Jashtëm Franko Fratinit dhe kolegut të tij të Ekonomisë, Giulio Tremonti, krerët e diplomacisë italiane, shprehën shqetësimet e tyre përballë paralizës graduale në ministri.
Vetë Franko Frattini ka deklaruar se ka parë "rregulla absurde" në dokumentin e qeverisë, duke përmendur për shembull vite vjetërsie të pa paguara.
Plani qeveritar i shtrëngimit të rripit pritet t'i bëjë të mundur Romës zvogëlimin e deficitit publik në 2,7 për qind të PBB-së në vitin 2012 kundrejt 5,3 për qind në vitin 2009 për të qetësuar tregjet ndërkohë që borxhi publik i Italisë është bërë ndër më të lartët në botë dhe këtë vit pritet të përbërjë 118,4 për qind të PBB-së.
/I.Pu.