Konkurenca Gjobit Armon, Me 270 Milione Leke
TIRANE, 26 Korrik /ATSH/- Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka gjobitur kompaninë e naftës Armo me 270 milion lekë, për shkak të abuzimit që ajo ka kryer në tregtimin e naftës D2 gjatë vitit 2009, bëri të ditur të hënën AK.
Sipas një njoftimi për shtyp të AK, pas një hetimi të thelluar, AK ka arritur në përfundimin se Armo ka abuzuar me pozitën e saj dominuese, gjatë shitjes së naftës, në kushtet kur ajo e ka patur këtë të drejtë në mënyrë ekskluzive.
"ARMO SHA, gjatë periudhës nën hetim ka zbatuar çmime dhe kushte të ndryshme tregtimi për veprime të njëjta tregtare me palët, duke vendosur në kushte të pafavorshme konkurrence ndërmarrjet, që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të produktit lëndë djegëse nafte D2," thuhet në njoftim.
Për këto arsye, sipas njoftimit, AK vendosi të gjobisë kompaninë me 2.6 përqind të xhiros vjetore të evidentuar gjatë vitit 2009./e.xh/ch/