English

Konkurrenca gjobit Armon me 270 mln lekë

Tiranë, 26 korrik, NOA, Rajmonda Lajthia - Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur kompaninë e naftës Armo me 270 milion lekë, për shkak të abuzimit, që ajo ka kryer në tregtimin e naftës D2 gjatë vitit 2009.

Pas një hetimi të thelluar, autoriteti ka arritur në përfundimin se Armo ka abuzuar me pozitën e saj dominuese, gjatë shitjes së naftës, në kushtet kur ajo e ka patur këtë të drejtë në mënyrë ekskluzive.

Në njoftimin për shtyp të konkurrencës thuhet se “ARMO SHA, gjatë periudhës nën hetim ka zbatuar çmime dhe kushte të ndryshme tregtimi për veprime të njëjta tregtare me palët, duke vendosur në kushte të pafavorshme konkurrence ndërmarrjet, që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të produktit lëndë djegëse nafte D2”.

Ndaj, autoriteti ka vendour të gjobisë kompaninë me 2.6 përqind të xhiros vjetore të evidentuar gjatë vitit 2009.

Pas privatizimit të kompanisë, qeveria shqiptare nëpërmjet një vendimi, i cili u kundërshtua edhe nga institucionet zyrtare i dha të drejtë Armos, që të tregtonte naftën D2, për makineri e pajisje dhe jo për automjete, çka detyroi edhe operatorët e tjerë të tregut të blinin këtë produkt tek kjo kompani.

Por më pas, shoqata e hidrokarbureve e ankimoi vendimin e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, e cila i dha të drejtë operatorëve të tregut.

Kompania Armo pronë e biznesmenit Rezart Taçi u bë një vit më parë pjesë e debateve të institucioneve fiskale, për shkak të mospagimit të detyrimeve tatimore.

r.l/NOA
KOMENTE