Durrës, 26 Korrik 2010 NOA - Në kuadër të masave të marra në drejtim të parandalimit të veprave penale kundër personit, gjatë fundjavës u finalizua me kapjen në flagrancë të tre personave të cilët mbanin me vete armë dhe municione luftarake operacioni “Week-end”.
Operacioni po vijon për shkak se rëndom shumë njerëz mbajnë armë zjarri dhe të ftohta në makinat e tyre por edhe në brez, duke u shndërruar kështu në një kontingjent lehtësisht të mundshëm për të kryer krime ose për të reaguar fatalist në konflikte të çastit.
Kështu në orën 04.00, u bë arrestimi ne flagrancë i 31 vjeçarit Shefqet Bala, banues në lagjen 7 Tiranë. Në segmentin rrugor Plepa-Durrës gjatë një kontrolli që shërbimet e Policisë kanë ushtruar në automjetin me targa DR 9731 E të drejtuar nga shtetasi A.V., të marrë si taksi nga Shefqet Bala, poshtë sediljes së pasagjerit ku ky shtetas ishte ulur, është gjetur një armë zjarri pistoletë e markës Zastava 9 mm si dhe një krehër me 4 fishekë, të cilat u bllokuan në cilësinë e provës materiale.
Kurse në orën 10.00, u bë arrestimi në flagrancë i 19-vjeçarit Emilian Guza, banues në Shijak. Në fshatin Pjezë të Shijakut, gjatë kontrollit të ushtruar ne automjetin tip Opel me targa LU678585 në të cilin udhëtonte së bashku me shtetasin F.M., 21 vjeç, banues ne 4 Rrugët në Shijak, iu gjet e sekuestrua ne cilësinë e provës materiale një pistoletë tip Zastava Blow Mini pa fishekë, të cilën e mbante pa leje.
Kurse më herët, dje në orën 14.30, u bë arrestimi ne flagrancë i 72 vjeçarit Perikli Kushi, lindur e banues ne Sukth Durrës. Arrestimi i tij u bë në Sukth, gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, i është gjetur dhe sekuestruar ne cilësinë e provës materiale një arme zjarri, pistolete modeli “CZ” e kalibrit 7.65 mm dhe një krehër me shtatë fishekë të të njëjtit kalibër, të cilat i mbante pa leje.
Aktet proceduriale per veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake lidhur me tre shtetasit e arrestuar iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës, - deklaroi Policia e Durrësit.
a.r/NOA