English

Kosovë: Situata E Sigurisë Në Mitrovicë E Qetë Dhe Stabile

PRISHTINË, 26 korrik /ATSH-B.Jashari/ - Gjendja e sigurisë në Mitrovicë u vlerësua e qetë dhe e qëndrueshme, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, gjatë një vizite që ai bëri në këtë qytet të hënën. Sipas një njoftimi të ministrisë, Rexhepi u takua me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, në lidhje me situatën e sigurisë që zotëron në Mitrovicë. "Nga të dy palët (situata) u vlerësua e qetë dhe stabile", thuhet në deklaratën e ministrisë. Bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua edhe për çështjen e bashkëpunimit me policinë, ku pritet që së shpejti Kuvendi Komunal i Mitrovicës të ndajë parcelën për ndërtimin e objektit për Stacionin Regjional të Policisë. Pas këtij takimi, ministri Rexhepi vizitoi edhe Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, ku u njoh me sfidat me të cilat ballafaqohen punonjësit gjatë punës së tyre të përditshme. Në takimin me udhëheqësit e kësaj Drejtorie u mësua se luftimi kundër kontrabandës në këtë rajon është duke u kryer me sukses, sipas deklaratës. Ministri Rexhepi paralajmëroi edhe fillimin e një hetimi brenda Policisë së Kosovës për identifikimin e zyrtarëve policorë që mund të kenë bashkëpunim me kontrabandistët. Sipas njoftimit, selegacioni i Ministisë së Punëve të Brendshme, ku ishte edhe ndihmës-drejtori i Shtyllës Operative të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, vizitoi edhe lagjen e romëve për tu njohur me kushtet dhe jetesën e këtyre banorëve./ch/
KOMENTE