Tiranë, 26 korrik, NOA – Bashkia e Tiranës ka patur prioritet të rëndësishëm të programit të investimeve në sistemin e arsimit parashkollor, krahas atij shkollor, përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve dhe infrastrukturës në çerdhe dhe kopshte, për përmbushjen e standardeve në mirë-rritjen dhe edukimin e fëmijëve.
Kështu është shprehur kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama gjatë ceremonisë së përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e kopshtit nr.43, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, pjesë e njësisë bashkiake nr.7, një investim cilësor dhe tërësisht bashkëkohor, realizuar nga Bashkia e Tiranës, i cili do të krijojë të gjitha kushtet për të mirëpritur vogëlushët e kësaj zone, në muajin shtator.
“Një kopsht i rindërtuar dhe me standardet më të larta europiane për komunitetin e zonës, një strukturë e re e cila do të plotësojë kërkesat e kahershme të komunitetit”, u shpreh ai. Duke shtuar se ky kopsht tërësisht i rehabilituar do të ofrojë të gjithë shërbimet cilësore, për të akomoduar rreth 150 fëmijë të cilët do të marrin të gjithë asistencën e nevojshme, në funksion të mirë-rritjes, zhvillimit dhe edukimit të tyre. Sipas z.Rama, pajisja e këtyre mjediseve sipas standardeve bashkëkohore, në mënyrë që kopshti të ketë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për realizimin e procesit edukativ, është një tjetër aspekt për të cilin po punohet aktualisht, duke vënë në dispozicion të vogëlushëve lojëra dhe mjete të ndryshme didaktike.Në fund, Rama tha se sot, sistemi publik i çerdheve dhe kopshteve ofron shërbimin për numrin më të madh të fëmijëve, krahasuar si me numrin e fëmijëve që shkojnë në sistemin privat, por edhe në krahasim me numrin e fëmijëve që frekuentonin ato, disa vite më parë.
Shërbimet që ofrohen në institucionet publike parashkollore janë jo vetëm ato të kujdesit dhe mirë-rritjes (trajtimit ushqimor etj), por edhe formimit edukativ dhe trajtimit psiko-emocional të fëmijëve.
Në qytetin e Tiranës, shërbimet e mirërritjes, zhvillimit dhe edukimit për fëmijët 0-6 vjeç kryhen në 70 institucione (41 kopshte dhe në 29 çerdhe).
Përftuesit e këtyre shërbimeve të mirërritjes, zhvillimit dhe edukimit të fëmijëve janë 8533 fëmijët e grup moshave 0-6 vjeç.
n.e/NOA