Kume: Votim Elektronik Por Sipas Kodit Zgjedhor
R
TIRANË, 26 Korrik/ATSH-A.Gegvataj/.-"Votimi elektronik, qoftë edhe në njësitë vendore, i cili do të zbatohet si një projekt pilot, duhet të jetë i mbështetur në ligjin zgjedhor", deklaroi sot, në një intervistë për ATSH-në, ish kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume.
Duke pershendetur idenë e hedhur nga mazhoranca për votim elektronik, Kume, drejtori i Institutit Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve, tha se "kushtet më të mira për një eksperiment të tillë janë zgjedhjet lokale".
Sipas tij, "zgjedhjet lokale zhvillohen në një njësi të caktuar vendore dhe procesi është i mbyllur brenda kësaj njësie, e cila nuk ndikon tek njësia tjetër" duke shtuar se "konteksti mbi të cilën duhet të shtrohet kjo ide e re duhet të jetë transparenca dhe ngushtimi i ndërhyrjeve negative".
"Realizimi i votimit elektronik duhet ndërtuar mbi kontekstin e transparencës dhe ngushtimit të ndërhyrjeve negative në proces të cilat shkaktojnë ose deformimim të vullnetit të zgjedhësve ose përdoren më pas, si alibi për të mos pranuar rezultatin", nënvizoi ai.
Sipas tij, alternativa më e përshtatshme është votimi përmes një ekrani në dhomën e fshehtë mbi të cilin është shfaqur fleta e votimit . Zgjedhësi klikon alternativën për të cilën dëshiron, veprim të cilin do ta bënte edhe me fletën e votimit".
Ai u shpreh se një mënyrë e tillë votimi nuk ka pengesa pasi nëpërmjet sensibilizimit mund të realizohet nga të gjithë zgjedhësit.
Kume cilësoi se "kjo mënyrë votimi krijon lehtësira në procesin e administrimit të votimit duke sjellë largim të grupit të votimit ndërsa rezultati të llogaritet përmes një programi kompjuterik që administron votën e zgjedhësve".
Ish-kreu i KQZ-së tha se "votimi duhet të kontrollohet, pasi zgjedhësi ka klikuar mbi alternativën që deshiron dhe të jetë printuar duke e hedhur me pas në një kuti votimi".
"Në këtë mënyrë, kemi provën materiale për verifikimin llogaritjes së rezultateve nëse nuk ka ''lajthitur'' programi kompjuterik", tha drejtori i Institutit Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve, Kristaq Kume./ch/
-
Anizel17:47 - 26 Korrik 2010HAJDE TE VOTOJME NE MENYRE MODERNE.....