English

Kuvend-Berisha:Ekonomia Shqiptare Në Fund Të Vitit Me Rritjen Më Të Madhe Në Europë

TIRANË, 26 Korrik/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në Kuvend se në fund të vitit 2010 ekonomia shqiptare do të ketë rritjen më të madhe në Evropë. "Ju garantoj se treguesit e ekonomisë po ecin shumë mirë dhe një problematikë e vogël e krijuar, po kapërcehet me sukses të madh. Ekonomia shqiptare do të jetë në fund të këtij viti me rritjen më të madhe në Europë", u shpreh kryeministri duke folur për ndryshimet buxhetore në seancën e sotme plenare, që është e fundit për këtë sesion. Kreu i qeverisë duke reaguar ndaj deklaratave kundërshtuese të opozitës për rishikimin e ligjit të buxhetit, i ftoi deputetët e majtë që të vendosin një komunikim të ndershëm dhe t'i bëjnë opozitë platformës së qeverisë, por jo të flasin kundër rritjes së rrogave e pensioneve. "Nuk ka gjë më fatkeqe se opozita të ngrihet e të thotë se rritja e pensioneve është veprim kriminal. Në shkurtuam shpenzimet dhe 45 milionë euro u përdorën për rritjen e tyre. Më gjeni cili vend ka berë këtë rritje të rrogave dhe pensioneve siç ka ndodhur në Shqipëri. I rrita rrogat e pensionet dhe tani kam përparësi ndërtimin e 320 rrugëve dytësore dhe të 100 rrugëve rurale, si dhe të mijëra kilometrave rrugë nga Tropoja në Gjirokastër. Ajo që ju mbetet juve (opozitës) është që të vini me mua e të bëni shkollën e praktikës dhe inagurimeve. I lini inatet se nuk ecet me to. Ejani në serialin e inagurimeve që do të nisë së shpejti dhe do të përfundojë në vitin 2012", the kryeministri në Kuvend duke iu drejtuar deputetëve opozitarë. Me këtë rast ai përmendi të ardhurat e larta që do i sigurohen buxhetit të shtetit nga ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës. "Vetëm kjo rrugë do i sjellë ekonomisë shqiptare së paku mbi 130 milion euro fitime", nënvizoi kryeministri. /a.s//n.m/
KOMENTE