English

Lirohet rripi i sigurimit, bie nga lodra dhe plagoset rëndë i mituri në Durrës

Durrës, 26 Korrik 2010 NOA – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në këndin e lojërave të ngritur për muajt e verës në qendër të qytetit të Durrësit, pasi lirimi i rripit të sigurimit ka shkaktuar rënien e një fëmije nga lartësia duke i shkaktuar plagë të shumta.

Në gjendje kritike për jetën, djali 15 vjeçar u dërgua në spitalin e Durrësit ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Korrespondentja e agjencisë NOA raporton se ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22.40, kur djali 15 vjeçar J.Kambo, banues ne lagjen 17 të qytetit Durrës, gjatë kohës që po luante tek lojërat në lagjen 1 Durrës, është rrëzuar e aksidentuar.

I dëmtuari është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë ku edhe ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Gjatë këtyre momenteve në këndin e lojërave u krijua situatë pasigurie dhe shumë njerëz, jo vetëm të miturit që gjendeshin në lodrën elektrike rrotulluese por edhe pushues të shumtë dhe kalimtarë përreth.

Në vendngjarje kanë shkuar forca policore dhe nga kryerja e veprimeve hetimore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, paraprakisht mendohet se kjo ngjarje ka ndodhur si pasojë e lirimit të rripit të sigurimit nga vetë personi i dëmtuar gjatë kohës kur mekanizmi i lojës ishte ende në lëvizje.

Gjithsesi, zyrtarisht policia u shpreh se po vazhdon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe kryerjen e veprimeve procedurale.

a.r/NOA

KOMENTE