Uashington, 26 korrik, NOA – Ish-ndërmjetësi i OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari, i tha BBC-së se të gjithë fqinjët e Kosovës duhet ta pranojnë faktin se ajo është e pavarur, nëse kanë ambicie që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Ai tha se me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë çështja e statusit të Kosovës është e kryer, por vlerësoi se Prishtina dhe Beogradi kanë shumë çështje teknike për të cilat duhet të bisedojnë.
Ish-presidenti finlandez tha në një intervistë për BBC-në se plani i tij gjithëpërfshirës për Kosovën është bazë e të gjitha zhvillimeve që çuan drejt pavarësimit të vendit dhe se ai nuk mund të ndryshojë.
Duke komentuar qëndrimet e udhëheqësve kosovarë për fundin e pavarësisë së mbikëqyrur pas vendimit të GJND-së, zoti Ahtisaari tha se nuk pret veprime të njëanshme nga administrata në Prishtinë dhe kërkoi që të gjitha masat të ndërmerren në bashkëpunim me BE-në dhe OKB-në.
Ai tha se Kosova tani ka nevojë për reforma të thella dhe zhvillim ekonomik.
Zoti Ahtisaari, GJND-ja mori një vendim të qartë për Kosovën. A është ky vendim edhe një lloj miratimi i planit tuaj gjithëpërfshirës dhe propozimit tuaj për pavarësi të mbikëqyrur?
Po dhe mund të thuhet kështu. Mendoj se ky ishte një vendim shumë i qartë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Kjo është përmendur nga një numër rezolutash dhe rregulloresh. Unë e mirëprita vendimin e gjykatës.
A vlerësoni se pas këtij vendimi diçka nga raporti juaj gjithë-përfshirës duhet të ndryshojë?
Mendoj se nuk ka asnjë gjë tjetër, sepse është një bazë për të gjitha zhvillimet që çuan drejt pavarësisë.
Dokumenti juaj nuk është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Si do t’i mundësohet Kosovës anëtarësimi në OKB-së? Përmes dy të tretave të votave në Asamblenë e Përgjithshme apo ndoshta nevojitet edhe një marrëveshje në Këshillin e Sigurimit?
Nëse e shikoni se çfarë ndodhi përpara vendimit, ishte me shumë rëndësi që Kosova u bë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore dhe tani unë pres që ata që nuk e kanë njohur Kosovën, do ta bëjnë një gjë të tillë. Kur të arrihet ky numër i mjaftueshëm i njohjeve, kjo atëherë do të mundësojë anëtarësimin në OKB.
Pra, me vendimin në Hagë nuk kishte fitues ose humbës?
Mendoj se është me rëndësi që kjo ka qartësuar njëherë e përgjithmonë diçka që unë e kam ndjerë se ishte e qartë që prej fillimit, se pavarësia e Kosovës ishte e pakthyeshme. Dhe kjo është thënë tani shumë qartë nga Gjykata Ndërkombëtare.
Si do të mund të ndryshojë ky vendim rrethanat në Ballkan dhe, në veçanti, në Bruksel, duke marrë parasysh se një numër vendesh të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës?
Ato janë disa. Dhe unë shpresoj, sinqerisht, se ato do të vendosin që ta njohin sepse duket pak a shumë e pakuptueshme pas këtij vendimi nëse nuk e bëjnë. Por, ka shumë të tjerë që mund të kenë pritur vendimin e GJND-së para se të marrin vendimin përfundimtar dhe unë do t’i inkurajoja që ta hedhin këtë hap tani.
Beogradi e ka parë vendimin si shumë të rëndë për vendin, dhe ka pritur një tjetër qëndrim të Gjykatës. Çfarë porosie i është dërguar Serbisë me këtë rast?
Se Kosova është e pavarur dhe do të mbetet e pavarur. Dhe, gjithashtu, se të gjithë fqinjët duhet ta pranojnë këtë fakt nëse kanë ambicie që të bashkohen me BE-në.
Serbia vazhdon të qëndrojë në pozicionin e saj se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Cila është perspektiva e të dyja vendeve tani, pasi të dyjat po kërkojnë anëtarësim në BE?
Shpresoj se Serbia do të shfrytëzojë kohën e saj dhe do ta vlerësojë me kujdes para se të ndërmarrë veprime. Mendoj se është një rregull i artë, “Kurrë mos thuaj kurrë”, sepse kjo e komplikon jetën edhe më shumë. Mendoj se është e rëndësishme dhe në dritën e këtij vendimi që përfundimisht, ata që nuk e kanë kuptuar, të vetëdijësohen se njerëzit duhet të jetojnë me një Kosovë të pavarur. Por, anëtarësimi do kohë që të materializohet dhe kjo periudhë e përkohshme duhet të kryhet.
Serbia ka bërë thirrje për bisedime të mëtejme me Kosovën përfshirë edhe ato për statusin. Çfarë mendoni ju për këtë?
Atëherë Serbia duhet të flasë me vetveten sepse çështja e statusit është e zgjidhur me këtë vendim, madje ishte vendosur më herët kur Kosova shpalli pavarësinë e saj, por kjo tani u konfirmua nga Gjykata Ndërkombëtare.
Tani Kosova ka fituar ligjshmërinë e saj. Çfarë duhet të bëjë ajo dhe institucionet e saj për të ecur më tutje?
Mendoj se është me rëndësi që Kosova të fillojë zhvillimin ekonomik dhe, gjithashtu, të bëjë reformat e duhura që janë të nevojshme, të merret me çështjen e pakicave në mënyrën se si e ka bërë deri tani. Sepse është me rëndësi që Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj të marrin rolin që iu takon pas këtij vendimi, që të shihet pjekuria e atyre që janë në pushtet aktualisht.
Ka patur deklarime në Kosovë se me shpalljen e vendimit nga Gjykata po i vjen fundi edhe 'pavarësisë së mbikqyrur'. A është ky fundi i mbikqyrjes?
Mendoj se është me rëndësi që të ecet përpara në atë mënyrë që çdo gjë që pritet nga administrata dhe vendi, të bëhet. Por, mendoj se të gjitha masat që do të ndërmerren do të ishte mirë sikur të bëheshin në bashkëpunim me BE-në dhe OKB-në. Kjo sepse kjo ishte mënyra se si erdhëm deri këtu ku jemi. Prandaj unë nuk pres asnjë masë të njëanshme nga ana e administratës së Kosovës.
A duhet të rivlerësojnë praninë e tyre misionet ndërkombëtare në Kosovë pas këtij vendimi?
Mendoj se kemi parë tanimë ndryshime në përbërjen e pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Kjo mendoj se duhet të bëhet dhe ka organe në Kosovë ku këto çështje mund të diskutohen. Mendoj se përbërja e pranisë ndërkombëtare duhet të reflektojë çfarëdo për të cilën ka nevojë. Por, në fushën e rendit dhe të ligjit në shoqëri është shumë e qartë se duhet bërë shumë më shumë.
Zoti Ahtisaari, a ka ardhur koha për një lloj pajtimi mes Prishtinës e Beogradit? Kur e prisni që të dyja palët të flasin me njëra-tjetrën?
Mendoj se ka shumë çështje praktike që fqinjët kanë nevojë t'i diskutojnë. Ka vende që kanë qenë të pavarura shumë më gjatë se sa këto vende për të cilat po flasim dhe gjithmonë ka çështje që fqinjët duhet të diskutojnë mes tyre. Prandaj këto çështje teknike, përfundimisht, ka nevojë të diskutohen dhe duhet të diskutohen.
BBC