Tiranë, 26 korrik, NOA – Seanca e fundit parlamentare e këtij sesioni legjislativ, ku u miratuan nen për nen vetëm me votat e mazhorancës, ndryshimet e buxhetit të vitit 2010 u mbyll me një konflikt fizik mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.
Por, tensioni në sallë ishte rritur pas replikave të njëpasnjëshme të opozitës, ndaj akuzave të kryeministrit Sali Berisha se deputetët socialistë nuk dinë të bëjnë llogaritë për buxhetin, pasi nuk kanë kaluar klasën.
Në këtë kontekst fjalën për replikë e kanë kërkuar edhe deputetët e PS-së, Erion Braçe dhe Gjovalin Kadeli.
Pikërisht këtu, molla e sherrit, ka qenë veprimi i kryetares së kuvendit, e cila në një moment të tillë, ka miratuar të 15 nenet, që kalonin kështu ndryshimin e buxhetit vetëm me votat e mazhorancës, duke mohuar apriori diskutimin e deputetëve të opozitës mbi ndryshimet e parashikuara.
Në protestë para podiumit deputetët socialistë Erion Braçe dhe Gjovalin Kadeli i treguan kryetares së kuvendit rregulloren e kuvendit, që i jepte të drejtën socialistëve të merrnin fjalën për diskutimin e buxhetit.
Pas protestës pranë podiumit ishin dy deputetët e opozitës dhe mazhorancës, përkatësisht Lefter Maliqi i PD-së, dhe Gjovalin Kadeli i PS-së, të cilët u konfliktuan fizikisht mes tyre, ndërsa zonja Topalli miratonte me shpejtësi të 15 nenet e buxhetit.
Lidhur me incidentin gjatë të cilit kryetarja e Kuvendit mbylli menjëherë seancën e fundit për këtë sesion parlamentar, duke lënë jashtë diskutimit edhe projektligjin për SHISH-in, është shprehur edhe Garda e Republikës.
Sipas institucionit të GRSH-së, deputeti i Partisë Socialiste, Gjovalin Kadeli ka goditur një nga efektivat e shërbimit të sigurisë së Gardës së Republikës, që përbën një vepër penale.
Por, goditja e efektivave të Gardës së Republikës gjatë ushtrimit të detyrës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë është një dukuri e përsëritur.
Në këtë kontekst, Garda e Republikës do të ndjekë të gjithë procedurat ligjore për këtë ngjarje, në bazë të ligjit për Gardën e Republikës, i cili parashikon se “Punonjësi i Gardës së Republikës në shërbim ose për shkak të shërbimit, është i paprekshëm. Fyerjet, kundërshtimet dhe çdo veprim i dhunshëm ndaj tij dënohet sipas dispozitave të kodit penal”.
Tensionet dhe sherret mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës kanë shënjuar shumë nga seancat e rëndësishme parlamentare. Më i fundit ishte ai mes deputetit të PS-së, Tom Doshi, i cili kërcënoi deputetin e PD-së, Gent Strazimiri në replikat për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Një tjetër ishte edhe ai mes deputetit të PS-së, Erion Braçe dhe atij të PD-së, Flamur Noka, për ligjin e auditit, gjatë të cilit pati edhe kërcënime.
Apo sherri mes kryeministrit Berisha dhe kruet të Grupit Parlamentar të PS-së, gramor Ruçi, për votat apo “kalin e Ruzhdies”, siç njihet rëndom kjo ngjarje.
Në historinë dy dekadëshe të parlamentarizmit shqiptar shfaqjet dhe konfliktet e hapura kanë dëshmuar në njëfarë mënyrë edhe papjekurinë e klasës politike, që në vend të fjalës apo demokracisë së ligjit, kanë zgjedhur lehtë, duke përdorur fjalorin e rëndomtë dhe goditjet fizike deri dhe kanosjet.
Pas sherrit parlamentarët shqiptarë në pushime, sesioni i ri nis në shtator, me diskutimin e të gjitha projektligjeve të seancës së 22 shkurtit.
mit/NOA