Tiranë, 26 korrik, NOA – Vetëm pak minuta më parë është mbyllur edhe seanca e fundit parlamentare për këtë sesion legjislativ, me miratimin nen për nen të ndryshimeve në buxhetin e vitit 2010.
Të 15 nenet e buxhetit u miratuan vetëm me votat e mazhorancës, plot 75 vota pro, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim.
Mbyllja e seancës plenare ndodhi pikërisht në momentin kur deputetët e opozitës protestuan për kalimin nen për nen nga kryeparlamentarja Topalli të ndryshimeve në buxhet.
Pas protestës pranë podiumit mes deputetëvetë opozitës dhe mazhorancës pati edhe konflikte fizike.
Ishin pikërisht deputetët e PS, Erion Braçe, dhe deputetët e PD-së, Lefter Maliqi e Kadeli i PS-së, që u konfliktuan fizikisht pranë foltores së kuvendit, në momentin kur kryetarja e seancës, Jozefina Topalli miratonte me shpëjtësi nenet e buxhetit, duke i treguar asaj rregulloren që i jepte të drejtën deputetëve të merrnin fjalën për diskutimin e buxhetit..
Menjëherë pas miratimit nen për nen të shkurtimeve në buxhet Topalli ka deklaruar edhe mbylljen e seancës së fundit parlamentare për këtë sesion dhe rifillimin e sesionit të ri pas pushimeve, në shtator.
Por tensioni mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës kishte nisur pas fjalimit të kryeministrit, i cili deklaroi se deputetët socialistë nuk kanë kaluar klasën në shkollë, duke i akuzuar ata se nuk dinë të bëjnë mirë llogaritë, ndaj dhe gabojnë sipas kryeministrit në llogaritjet e buxhetit.
Por, tashmë është e qartë që diskutimi për projektligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror është shtyrë për në shtator.
mit/NOA